Avokati flet pas vendimit të Gjykatës në Maqedoni: Tomor Morina lirohet sot


Gazeta Express
14 Gusht 2019 14:57

Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim që ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, të mos ekstradohet në Serbi. Ai, po ashtu, është liruar nga burgu. Për momentin është duke i përfunduar procedurat e lirimit.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, avokati i Morinës, Naser Raufi.

“Është liruar Morina. Brenda një ore ai do të dalë nga burgu”, i ka thënë Gazetës pala mbrojtëse e Tomor Morinës.

Raufi ka thënë se e ka nënshkruar vendimin për lirimin e tij.

“Kështu ka thënë edhe Gjykata Supreme. Sapo e nënshkrova vendimin e gjykatës për lirimin e tij”, tha Raufi.

Edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë, konfirmojnë se Morina brenda një ore do të lirhohet nga burgu.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarrestim të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Te fundit


Kthehu lart