Avokatët ngelin të habitur nga paraqitja e Janevës me avokat


Gazeta Express
20 Gusht 2019 13:41

Avokatët kanë ngelur të habitur se pse shefja e PSP-së Katica Janeva është paraqitur me avokat për të dëshmuar para koleges së saj nga Prokuroria për Krim të Organizuar Villma Ruskoska, transmeton Zhurnal.

Suzana Joshevska Anastasovska thotë se është problematike ajo që Janeva po paraqitet në Prokurori në prezencë të avokatit, por sipas saj ky nuk është problemi i vetëm.

Avokatja Anastasovska habitet edhe për faktin se avokati që shoqëronte Janevën ishte pikërisht ai që mbron një të akuzuar në një rast të PSP-së që e udhëheqë pikërisht Janeva.

“Problemi më i madh është që u paraqit me avokat i cili mbron një të akuzuar në lëndë që ajo e ndjekë. Sipas definicionit ligjor, nën përplasje të interesave nënkuptohet gjendja ku personi zyrtar ka interes privat që ndikon apo mund të ndikojë mbi kryerjen e paanshme të detyrave zyrtare apo publike. Pse po na ndodhë kjo !?”, u shpreh avokatja Anastasovska.

Me qëndrim të ngjashëm u shpreh edhe kolegu i saj Sashko Dukoski. Sipas tij, dëshmitari nuk ka të drejtë për avokat.

“Sa jam habitur. Sa financa kam humbur duke mos përfaqësuar dëshmitarë. E kjo, kush sa di, askush nuk u ka faj”, shprehet Dukoski.

Nga Prokuroria Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupcion janë shprehur se nuk është e ndaluar që edhe dëshmitari të thërret avokat, gjithsesi, nëse nuk ndjehet i sigurtë.

Te fundit


Kthehu lart