Avni Dehari shpërthen ndaj prokurorisë: Kjo është vrasje e dytë e Astritit, e duam dokumentin të papërkthyer


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 17:53

Babai i Astrit Deharit, Avni Dehari i ka akuzuar institucionet e vendit për mos transparencë, duke thënë se kjo për ta është “vrasja e dytë e Astritit”. Deklatat e tij vijnë pas refuzimit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit pë t’ua dhënë një kopje të raportit origjinal, raporton Express.

Dehari në një konferencë për gazetarë ka thënë  se pikërisht për shkak të mosbesimit në institucionet vendore ata kishin kërkuar që ekspertiza të bëhej jashtë vendit.

“Si t’iu besohet kur thonë se nuk kanë kopje të origjinalit në zyrë dhe e kanë dërguar në përkthim. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Për shkak të mosbesimit që kemi pasur në institucionet e drejtësisë jemi detyruar që të kërkojmë ekspertë të jashtëm, por nuk kemi pasur besim sepse kanë shkelur të gjitha procedurat që nga fillimi”, ka deklaruar Avni Dehari.

“Ata akuzojnë mediat e avokatin për politizim të rastit. Ata nuk duan të jenë transparentë, mund t’i fshehin faktet. Për ne si familje ky akt është vrasja e dytë e Astritit”.

Ndërkohë, nëna e Astritit, Xhemile Dehari ka thënë se ata do të pranojnë çfarëdo rezultati që del nga ai raport.

“Çfarëdo rezultati që del do ta kishim pranuar dhe do ta pranojmë. Manipulimet që po bëhen nga institucionet tona janë bërë tashmë tepër”, ka deklaruar ajo në konferencë për media.

Më tutje ajo ka thënë raportin final dëshiron ta ketë në gjuhen origjinale që është shkruar nga instituti dhe jo në atë të përkthyer.

“Qysh mundem unë me i besuar këtij kryeprokurorit kur dje thoshte se ky zarf ka me u hap dhe ka me u përkthye dhe me u dërguar tek familjarët. Po s’po e dua unë të përkthyem, po e dua origjinalin”, ka deklaruar ajo.

“Prokurori tha s’kemi kopje të raportit origjinal. Mu duk absurde qysh e dërgojnë origjinalin edhe s’mbajnë kopje”, ka thënë ajo.

Për gruan e Astritit, Artën, është e papranueshme se si në Prokurorinë e Prizrenit nuk e kanë asnjë kopje të raportit.

Kurse avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar që ta posedojnë këtë raport në origjinal, të papërkthyer.

“Ne kemi pasur kërkesa të vazhdueshme që të marrim raportin e Institutit zvicran. Ky raport është kryer para dy javësh e vetëm dje Prokurorët kanë njoftuar se e kanë marrë”, ka thënë Gashi.

Ndërkohë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka thënë para mediave se raporti do t’u dorëzohet familjarëve pasi që i njëjti të përkthehet.

Për t’u bërë kjo do të duhen tre ditë, ka deklaruar Shala./Gazeta Express

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart