Aventurat e Pinokios


Gazeta Express
30 Gusht 2019 15:12

Pinokio, personazhi i italianit Carlo Collodi, asocion më së miri me rrenën, mashtrimet që bëhen në fushata zgjedhore, në aventurat e politikanëve për t’i bindur qytetarët që t’ua japin votën. Po t’u zgjatej hunda atyre që premtojnë, ajo do t’u rritej në përmasa të frikshme.

Imer Mushkolaj

Më bëri shumë përshtypje një postim në Facebook i Enver Hoxhajt të PDK’së, pas takimit me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi. Jo për shkak të përmbajtjes, aq sa për fotografinë.

Hoxhaj i kishte premtuar Arifit se qytetarët e Luginës së Preshevës do të pajisen me pasaporta të Republikës së Kosovës. Po sipas tij, qeveria e re e udhëhequr nga PDK do të luftojë me të gjitha rrugët diplomatike fushatat e egra të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë atë të fshirjes së adresave.

Premtimi ishte bërë në Prishtinë, në një restoran me emër mjaft domethënës, “Pinocchio”.

Të gjithë, besoj, e njohin Pinokion. Pinokio me hundën e tij të gjatë, të krijuar nga autori italian Carlo Collodi. Të gjithëve iu kujtohet rrëfimi se si mjeshtri Xhepeto mori një copë dru dhe veglat e marangozit, filloi të gdhend kokën, sytë, veshët, hundën e gjatë, trupin, këmbët dhe duart dhe fëmijën prej druri që krijoi, e quajti Pinokio.

Ndonëse hunda e rritur e Pinokios pas çdo gënjeshtre është vetëm njëri aspekt, i thjeshtëzuar, i rrëfimit të famshëm, ai merr rëndësi të veçantë sidomos në kontekst të deklaratave të politikanëve, veçanërisht në prag zgjedhjesh dhe specifikisht, ndonëse rastësisht, për shkak të ndonjë emërtimi të vendit ku bëhen deklaratat. I tillë ishte emri i restorantit ku Hoxhaj zgjodhi të bëjë premtime parazgjedhore.

Pa paragjykuar nëse premtimet do të realizohen ose jo, edhe pse përvoja tregon se shumë nga to mbeten vetëm premtime, askush nuk mund t’i shmanget asociimit me rrenën, mashtrimet që bëhen në fushata zgjedhore, në aventurat e politikanëve për t’i bindur qytetarët se gjatë mandatit tjetër qeverisës, gjithçka do të jetë më mirë. Dhe, po të ishte që t’u zgjatej hunda atyre që premtojnë, ajo do t’u rritej në përmasa të frikshme.

* * *

Deri tash, Pinokio të vërtetë do të ishin të gjithë ata që premtuan zhvillim ekonomik e ulje të papunësisë, ata që premtuan qindra mijëra vende të reja pune, ata që premtuan liberalizim vizash tash e gati një dekadë.

Të tillë do të ishin ata që premtuan perspektivë për të rinjtë, por që i bënë ta braktisin vendin. Ata që premtuan mirëqenie për qytetarët, por që vetëm shtuan miliona në kontot e veta e pasuri pa fund.

Të tillë do të ishin ata që premtuan luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit e nepotizmit nëpër institucione, por që po të njëjtat i mbushën me familjarë e militantë të partive të veta.

Ata që premtuan arsim e shëndetësi cilësore, por që dështuan ta bëjnë një gjë të tillë. Ata që fëmijët e vet i shkollojnë në institucione të shtrenjta brenda e jashtë vendit, e kur sëmuren zgjedhin po ashtu alternativa jashtë, kryesisht me shpenzime të shtetit

Ata që kanë privatizuar e tjetërsuar çdo gjë me vlerë në këtë vend, duke u bërë pronarë të shtetit. Ata që kanë shfrytëzuar gjithçka, për të përfituar gjithçka.

Ata që kanë shkatërruar ndërmarrje publike, që kanë mbushur institucionet me plot njerëz të paaftë. Ata që e kanë vështirësuar, e jo lehtësuar, jetën e qytetarëve.

Ata që kanë devalvuar vlerat e luftës, në emër të mbrojtjes së saj. Që kanë mbushur lista me të ashuquajtur veteranë, të cilët marrin para kot nga paratë tona.

Ata që kanë qeverisur e bashkëqeverisur vendin, por nuk e marrin përgjegjësinë për dështimet. Ata që shfrytëzojnë të vrarërt për vota, që nuk respektojnë vullnetin e votuesve të vet, por janë në gjendje të lidhin aleancë edhe me dreqin, vetëm që të jenë pjesë e pushtetit.

* * *

Aventurat e pinokiove kanë nisur sërish. Edhe më furishëm. Gjatë pesë javëve në vazhdim do të dëgjojmë lloj-lloj premtimesh, lloj-lloj rrenash, lloj-lloj marrëzish.

Gjërat që kanë premtuar t’i realizojnë, e që nuk i kanë bërë, do t’i premtojnë sërish. Andaj, është e rëndësishme që secili t’ua kujtojë çfarë kanë thënë në të kaluarën, çfarë kanë premtuar. Të paktën që qytetarët të mos i konsiderojnë budallenj që mund t’i mashtrojnë sa herë t’iu teket.

T’ua kujtojnë se mijëra vetë e kanë braktisur vendin, sepse nuk shohin perspektivë në vendin e vet. T’ua kujtojnë se po që se nuk kanë një librezë partie, ose një familjar në pushtet, është e kotë të kërkojnë e gjejnë një vend pune. T’ua kujtojnë se mirëqenia e tyre nuk është përmirësuar, andaj po synojnë të emigrojnë, për një jetë më të mirë. T’ua kujtojnë se duan zhvillim ekonomik, e jo dokrra patriotike. T’ua kujtojnë se në radhë të parë janë qytetarë, e jo makina votimi. T’ua kujtojnë, e t’i ndëshkojnë, për rrena e mashtrime.

Te fundit


Kthehu lart