Me 61 vota pro, 24 vota kundër dhe 1 abstenim, në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria e koalicionit LDK-AAK-Nisma-minoritetet, me kryeministër Avdullah Hotin, raporton Gazeta Express
Hoti e ka prezantuar kabinetin e tij qeveritar, me gjithsej katër zëvendëskryeministra dhe 16 ministra.
Hotit iu hap rruga për formimin e Qeverisë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e formimit të Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019-ës, nuk e ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Qeveria e Albin Kurtit, që ishte produkt i koalicionit mes LVV-së, si parti e parë dhe LDK-së, si parti e dytë, u rrëzua më 25 mars, me mocion mosbesimi të nisur nga partia e Isa Mustafës.
Mocioni u iniciua pasi Kurti ia shkarkoi LDK-së Agim Veliun nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, pasi ai shprehu një qëndrim të tijin personal në një studio televizive, e Kurti e pa të papranueshme.
Mocioni i LDK-së bazë për rrëzim të Qeverisë e kishte rrezikimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vetë Hoti në fjalimin e tij të sotëm tha se “raportet me Amerikën janë lënduar nga një politike populiste e Qeverisë së fundit”. /Express/