Njihuni me HP Spectre 13, "llaptopin më të hollë në botë" (Foto/Video) - Gazeta Express

Njihuni me HP Spectre 13, "llaptopin më të hollë në botë" (Foto/Video)

05/04/2016 18:58

Llaptopi i tij i ri quhet Spectre 13 (apo thjesht HP Spectre), dhe me trashësi prej vetëm 10.4 milimetrash, ai supozohet të jetë llaptopi më i hollë që është krijuar ndonjëherë nga një prodhues i madh i llaptopëve, shkruan The Verge.

Kjo do të thotë se ky llaptop nga HP është më i hollë se Apple MacBook (13.2 mm i trashë) dhe Dell XPS 13 (15.2 mm i trashë), përcjell Gazeta Express.

Spectre 13 është në shumë mënyra përpjekje e HP’së për krijimin e një MacBook Air modern. Ky llaptop nuk vjen me rezolucion 4K, as me ekran të ndjeshëm në prekje, e as pjesë të ndashme. Ai vetëm synon të jetë një llaptop solid dhe me plot stil.

Dhe, i tillë duket të jetë. Spectre 13 ka një ekran prej 13.3 inç, me rezolucion prej 1080 piksellësh, 8GB RAM dhe 256GB hapësirë të brendshme në versionin bazik, si dhe vjen me një procesor Core i5 ose Core i7.

Bateria e tij është e hollë, sikurse edhe vetë llaptopi, dhe zgjat deri në 9.5 orë – për krahasim, rivali MacBook Air ka një bateri që zgjat 12 orë.

HP dëshiron që Spectre të konsiderohet si një llaptop “premium”, dhe në fakt jep përshtypje se është i tillë.

HP do të fillojë të pranojë porositë për Spectre 13 më 25 prill. Çmimi fillestar i llaptopit do të jetë 1.169 dollarë amerikanë. Dërgesat e para pritet të fillojnë gjatë muajit maj. /Gazeta Express/