Austria me ligj të veçantë për regjistrimin e përdoruesve të internetit


Gazeta Express
12 Prill 2019 22:48

Austria pritet të shqyrtojë një ligj të ri, i cili nëse do të miratohet dhe do të hyjë në fuqi në vitin 2020, do ta bënte të gjurmueshme shkrimin e një postimi me gjuhë urrejtjeje me autorin e tij, e njëkohësisht edhe diçka të detyrueshme për platformat e mëdha të internetit, që të regjistrojnë përdoruesit dhe t’iu heqin atyre mundësinë e fshehjes pas anonimitetit të postimeve me përmbajtje të tillë.

“Për fat të keq, kemi pasur një numër në rritje të shkeljeve flagrante, denigrimeve dhe poshtërimeve ‘online’ kohët e fundit, duke u fshehur nën petkun e anonimitetit. Pikërisht për këtë arsye kemi nevojë për një kuadër ligjor që do ta bëjë më të përgjegjshëm lundrimin ‘online’”, shkroi Kancelari austriak, Sebastian Kurz, në rrjetin social “Twitter”.

Ligji pritet të hyjë në fuqi në 2020-n dhe do të detyronte Facebookun, Twitterin dhe Instagramin që të regjistrojnë përdoruesit e tyre, sipas asaj që ka thënë Gernot Bluemel, ministër në detyrë për Marrëdhëniet me BE-në, Artin, Kulturën dhe Mediet.

Forma e regjistrimit është një aspekt që do t’iu lihet në dorë platformave gjigante, por autoritetet e këtij vendi do të mund të kenë qasje në identitetin e përdoruesve, në rast konstatimi të një postimi me nota urrejtjeje, apo nëse do të shkeleshin ligjet.

“Hapësira ‘online’ vërtet është e pakufizuar, por nuk mund të jetë edhe pa ligje”, tha Bluemel për reporterët, menjëherë pas një takimi të përjavshëm të kabinetit qeveritar, duke shtuar se Austria synon të shënojë kështu precedentin e parë edhe për vendet e tjera në këtë aspekt.

Në fakt, ka qenë presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili shkaktoi një debat ndërkombëtar në fillim të këtij viti, teksa sugjeroi ndalimin e publikimeve anonime në rrjetet sociale.

Që një ligj i tillë të funksionojë në Austri, duhet që veç miratimit nga parlamentarët vendas, të miratohet edhe nga Komisioni Europian, për të garantuar se ai është në përputhje me rregulloret e BE-së, sipas të cilave një vend anëtar nuk mund të ketë kufizime ekstra ndaj platformave ‘online’ krahasuar me vendin e origjinës.

Projektligji i propozuar do të aplikohej mbi platformat e internetit që kanë një qasje të konsiderueshme, me mbi 100 mijë përdorues apo 500 mijë euro të ardhura të përvitshme në Austri, sikurse edhe ndaj medieve “online” që sigurojnë më shumë se 50 mijë euro ndihma shtetërore.

Por, edhe në këtë vend, opozita e ka kritikuar këtë projektligj me justifikimin se kufizon lirinë e shprehjes dhe u ofron gjigantëve si Facebooku më shumë të dhëna mbi përdoruesit, ndërkohë që rrjeti më i madh social i botës u vu në qendër të kritikave për mënyrën sesi i menaxhon informacione të tilla private pak kohë më parë.

Te fundit


Kthehu lart