Njerëzit në Austri nuk do të duhet t’i vënë maskat në shkolla, dyqane dhe mjedise turistike nga mesi i qershorit, pasi numri i rasteve aktive me COVID-19 në vend ka rënë nën 650, njoftoi sot qeveria.
Austria ishte ndër vendet e para europiane që bëri të detyrueshme mbulimin me maskë të fytyrës, në fillim të muajit prill, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes COVID-19.
Edhe pse masa do të lehtësohet më 15 qershor, ajo nuk do të hiqet.
Maska do të jetë e detyrueshme për pasagjerët e transportit publik, parukierët dhe kamerierët, si edhe në mjedise publike ku është e pamundur të mbash një distancë minimale prej një metër.
“Ne do t’i heqim maskat hap pas hapi”, tha kancelari Sebastian Kurz në një konferencë shtypi në Vjenë.
Politika e re e maskave është vetëm një hap tjetër në përpjekjet graduale të Austrisë për t’u rikthyer në jetën normale.
Hotelet dhe qendrat e fitnesit u lejuan të rihapen sot, pas dyqaneve, restoranteve dhe shkollave javët e fundit.