ATK-ja vendosi detyrimet tatimore ndaj këngëtarit Vllasaliu bazuar në postimet e klubeve muzikore në rrjetet sociale - Gazeta Express
string(116) "atk-ja-vendosi-detyrimet-tatimore-ndaj-kengetarit-vllasaliu-bazuar-ne-postimet-e-klubeve-muzikore-ne-rrjetet-sociale"

ATK-ja vendosi detyrimet tatimore ndaj këngëtarit Vllasaliu bazuar në postimet e klubeve muzikore në rrjetet sociale

Lajme

Gazeta Express

21/09/2023 19:52

Inspektori tatimor, Fidan Tolaj ka thënë se ATK-ja ka vendosur detyrimet tatimore ndaj Sinan Vllasaliut bazuar në informatat që kanë marrë nga postimet e klubeve muzikore nëpër rrjete sociale ku ka pasur të performojë këngëtari.

Këtë deklaratë inspektori Tolaj e ka dhënë të enjten në gjykimin ndaj këngëtarit Vllasaliu, i cili ngarkohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Tolaj ka deklaruar se këto klube brenda Kosovës janë inspektuar edhe nga Policia e Kosovës ndërsa për ato jashtë vendit nuk kanë pasur informata përpos posterëve që i kanë postuar në rrjete sociale.

Gjatë kësaj seance, inspektori i ATK-së dëshmoi lidhur me hetimet dhe inspektimet që ATK-ja kishte bërë rreth këngëtarit Sinan Vllasaliu për detyrimet tatimore të tij, duke shtuar se çdo e hyrë duhet deklaruar në ATK edhe nëse tatimet janë kryer jashtë vendit.

Tolaj, mes tjerash, ka theksuar faktin se i akuzuari Vllasaliu nuk ka sjellë dëshmi për të hyrat e deklaruara në Amerikë edhe pse i njëjti kishte thënë se do ta bëjë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores Elza Bajrami, dëshmitari Tolaj tha se kallëzimi penal që është ushtruar nga ATK-ja është dorëzuar ne Prokurori me provat e bashkangjitur.

Mirëpo, në rastin konkret, raport përfundimtar nuk është përpiluar nga ATK-ja, pasi sipas Tolajt, gjatë fazës së hetimeve ishin njoftuar nga prokurori i rastit se është arritur marrëveshja për pranim te fajësisë me Vllasaliun.

Avokati mbrojtës i Vllasaliut, Florent Latifaj kundërshtoi deklarimet e inspektorit pasi që i njëjti tha se ATK nuk ka hartuar raportin final siç është dashur.

Latifaj ka thënë se  inspektori Tolaj nuk ka dhënë përgjigje të saktë kur është pyetur se përse nuk është hartuar ky raport final.

Gjithashtu arsyetimi i inspektorit se nuk e di sa është paguar këngëtari Vllasaliu  për netët që ka kënduar në diaspore por ka nxjerrë një mesatare duke u bazuar në posterët e klubeve, sipas tij,  në të drejtën penale kjo nuk lejohet për shkak se çdo nxjerrje e mesatares është dashur të interpretohet me vlerën zero e jo me dy mijë euro.

Kjo pasi inspektori Tolaj deklaroi se mesataren e të hyrave të këngëtarit Vllasaliu për netët që ka kënduar e kanë nxjerrë duke u bazuar në deklarimet e tij se merr rreth 2 mijë deri në 2500 euro.

“Prej krejt informacioneve që i kemi marrë ne kemi marrë një mesatare dhe jem bazuar edhe në deklaratën e tij që e kemi intervistuar, i njëjti ka deklaruar se diku rreth 2000-2500 euro, këtë mesatare e kemi marrë, pastaj ato publikime që janë bërë, i kemi llogarit qe jon marrë 2000 euro në nate”, ka deklaruar Tolaj.

Mes tjerash inspektori Tolaj tha se tatimpaguesi ne ketë rast Sinan Vllasaiu eshët paraqitur si tatim pagues i rregullt për vitet 2011-2013 kurse për vitet pasuese 2014-2016 mungojnë këto deklarime.

“Në 2016 nuk mundet me qenë deklarimi i rregullt, kjo tregon se tatim paguesi nuk ka deklaruar fare për 3 vite”, tha Tolaj.

Pas këtyre deklarimeve, gjykata ka aprovuar propozimin e mbrojtjes për caktimin e ekspertizës financiare lidhur me rastin, propozim të cilin e ka mbështetur edhe prokurorja Bajrami si dhe përfaqësuesi i autorizuar i ATK-së Rinor Arifi.

Në rrethana të tilla seanca e sotme ka përfunduar dhe e radhës do caktohet pas marrjes së ekspertizës.

Përndryshe në fillim të seancës avokati Latifaj ka kërkuar që ai dhe i mbrojturi i tij, Sinan Vllasaliu të mos fotografohen nga mediat prezente, Mirëpo, gjykatësja e rastit Naime Krasniqi-Jashanica e ka refuzuar një kërkesë të tillë me arsyetimin se seanca është publike dhe lejohen fotografimi dhe incizimi.

Në seancën e kaluar ishte aprovuar propozimi i prokurores Elza Bajramit, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet inspektori tatimor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Fidan Tolaj, në rastin ku këngëtari Sinan Vllasaliu ngarkohet se ka dëmtuar shtetin 24 mijë e 270 euro e 98 centë, duke iu shmangur tatimeve gjatë viteve 2011-2015

I akuzuari Vllasaliu ishte deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 18 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 maj 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sinan Vllasaliu po ngarkohet me veprën penale “shmangia nga tatimi”.

Aktakuza thotë se i pandehuri Vllasaliu në cilësi të këngëtarit dhe të pronarit të biznesit “N.P.T. “Tusido” me seli në Prishtinë në vazhdimësi për vitet fiskale 2011, 2012, 2013, 2014 dhe 2015 që ndërlidhen me pagesën e tatimit, tarifave apo kontributeve tjera pranë Administratës Tatimore të Kosovës me qëllim të përfitimit të paligjshëm, i njëjti nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik.

Për këtë veprim, ai ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë të përgjithshme në vlerë prej 24 mijë e 270 euro e 98 centë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi