Aston Villa, 90 minuta larg kthimit në Premierligë


Gazeta Express
15 Maj 2019 14:14

Aston Villa e mposhti West Bromwich Albionin përmes gjuajtjes së penalltive, duke e siguruar kështu një vend në finale të play-offs për të dytin sezon radhazi. Nëse e fiton finalen, Aston Villa do të kthehet në Premierligë.

Goli vendimtar i Tammy Abraham nga penalltia, pasi portieri Jed Steer i kishte mbrojtur dy penalltitë e para që Albionit, e vendosi fituesin e kësaj përballjeje, pas dy orëve dramatike futboll, transmeton Gazeta Express.

Duke qenë në deficit 2:1 nga ndeshja e parë, Albion e barazoi rezultatin e përgjithshëm, kur Craig Daëson arriti ta shndërrojë një rivënie anësore në gol, përmes një goditjeje me kokë.

Megjithatë, Albioni u detyrua të luajë edhe në këtë ndeshje kthyese me vetëm dhjetë lojtarë, pasi që këtë herë kapiteni Chris Brunt u ndëshkua me karton të kuq. Në ndeshjen e parë ishte ndëshkuar Dëight Gayle.

Por, edhe me një lojtar më pak, Albion arriti ta mbajë rezultatin baras edhe në kohën shtesë. Megjithatë, Aston Villa triumfoi në gjuajtjet e penalltive dhe tani e ka siguruar një vend në finale të play-offs, ku do të përballet ose me Derbyn ose me Leeds Unitedin, më 27 maj.

Tani, Aston Villa është vetëm 90 minuta larg kthimit në Premierliga, nga e cila ligë kishin rënë në vitin 2016. Ky klub kishte qenë në finale të play-offs edhe sezonin e kaluar, mirëpo në atë finale kishte triumfuar Fulhami.

Aston Villa ka qenë shtatë herë kampione e Anglisë, gjatë viteve 1893 dhe 1981, kur niveli i parë i futbollit në Angli kishte qenë i njohur si “First Division”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart