Assange akuzohet se deshi ta përdorë ambasadën si qendër spiunazhi


Gazeta Express
15 Prill 2019 10:59

Presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, ka thënë se Julian Assange vazhdimisht i ka shkelur kushtet e azilit dhe është përpjekur ta përdorë ambasadën e këtij shteti si qendër për spiunazh.

Moreno gjithashtu tha se Britania e Madhe i ka premtuar atij se të drejtat themelore të australianit do të respektohen dhe se ai nuk do të dërgohet askund për t’u përballur me dënimin me vdekje.

Spiuni 47-vjeçar u arrestua nga policia britanike në ambasadën e Ekuadorit pasi ky shtet ia hoqi azilin politik. Në këtë mënyrë, atij i përfundoi qëndrimi gati 7-vjeçar në këtë ambasadë.

Bashkëthemeluesi i faqes “WikiLeaks” mund të përballet me burgim deri një vit për shkak se është shpallur fajtor për shkeljen e rregullave të dorëzanisë kur kishte hyrë në ambasadën e Ekuadorit në vitin 2012. Ai e kishte bërë këtë veprim pas humbjes së betejës për ekstradim në Suedi, ku do të gjykohej për akuzat për sulm seksual.

Ai pritet të përballet edhe me ekstradim në Shtetet e Bashkuara për shkak të dyshimeve për bashkëpunim me një ish-zyrtare amerikane të inteligjencës për ta fituar qasjen në një kompjuter të qeverisë. Për ekstradimin e tij në Suedi ose SHBA do të vendosë ministri i brendshëm britanik, Sajid Javid.

Qëndrimi i presidentit të Ekuadorit ndaj spiunit australian ka nxitur kundërthënie në këtë shtet. Ish-presidenti i Ekuadorit, Rafael Correa, ka thënë se presidenti i tanishëm e ka bërë një krim që njerëzimi nuk do ta harrojë kurrë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart