Askush nuk e do Sanchezin, përveç Interit


Gazeta Express
25 Prill 2019 20:20

“Djajtë e Kuq” nuk do ta kenë të lehtë ta largojnë nga “Old Trafford” Alexis Sanchezin.

Alexis Sanchez, i cili iu bashkua Manchester Unitedit nga Arsenali sezonin e kaluar, ka dështuar të lë gjurmë në “Old Trafford”.

Kiliani është i pari në listë për t’u larguar nga Unitedi, por problemi është se “Djajtë e Kuq”, sipas mediave angleze, do ta kenë të vështirë të gjen blerës të duhur.

PSG-ja më parë ishte interesuar për 30-vjeçarin, por tani ka të tjerë objektiva dhe klubi i vetëm që e do është Interi.

Por, Man United e di se asnjëherë nuk mund të përfitojë nga shitja e kilianit te Interi, për faktin se klubi italian nuk ka të drejtë të shpenzojë shuma marramendëse dhe do të tentojë të afrojë sa më shumë lojtarë me më pak shpenzime, raporton Indepedent.

Alexis Sanchez e dëshmoi edhe një herë pse ai është vetëm hija e lojtarit që ishte më parë në karrierë, duke e prekur topin vetëm një herë në derbin e mbrëmshëm të Mançesterit.

Kur Manchester Unitedi ishte duke humbur me rezultat 2:0 në pjesën e dytë të ndeshjes kundër Manchester Cityt në Old Trafford, trajneri Ole Gunnar Solskjaer vendosi të rrezikojë dhe e inkuadroi në lojë Alexis Sanchezin në vend të Matteo Darmianit.

Megjithatë, Sanchezi nuk arriti të bëjë më shumë se një prekje gjatë 12 minutave që ishte në fushë në atë ndeshje dhe tifozët e Manchester Unitedit mbetën sërish të zhgënjyer me paraqitjen e kilianit, që thuhet se merr 75 mijë funta për paraqitje si shtesë ndaj 400 mijë eurove që i merr në javë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart