I pyetur se çfarë u dakordua në takimin me grupin e punës për provimin e jurisprudencës, kryeministri u përgjigj me një fjalë të vetme: “Asgjë”. Përgjigjja e tij bie ndesh haptazi me tonin e partnerit të koalicionit, VLEN, që të njëjtin takim e cilësojnë si finalizim të detajeve të një marrëveshjeje gati të mbyllur.
Shkup, 9 qershor – Kur flet VLEN për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, zgjidhja duket thuajse e arritur. Sipas tyre, ligji është pothuajse i finalizuar, kërkesa e studentëve po çohet në vend, ndërsa zgjidhja do të jetë e mbrojtur edhe para Gjykatës Kushtetuese. Mjafton, megjithatë, një pyetje drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski që kjo siguri të vihet në dyshim. I pyetur se çfarë u dakordua në takimin me grupin e punës për provimin e jurisprudencës, kryeministri u përgjigj me një fjalë të vetme: “Asgjë”. Përgjigjja e tij bie ndesh haptazi me tonin e partnerit të koalicionit, që të njëjtin takim e cilësojnë si finalizim të detajeve të një marrëveshjeje gati të mbyllur, shkruan gazeta KOHA.
Ndryshe nga përgjigjja njëfjalëshe e kryeministrit, nga VLEN dhanë një tablo krejt tjetër të së njëjtës mbledhje. Përfaqësuesi i kësaj partie, Albi Qamili, në një paraqitje televizive deklaroi se takimi i grupit të punës me Mickoskin shërbeu për të finalizuar detajet e zgjidhjes ligjore për provimin e jurisprudencës. Sipas tij, ka pajtim mes VLEN-it dhe kryeministrit, ndërsa kërkesa e studentëve do të çohet në vend. “Pavarësisht detajeve të takimit, ajo që është me rëndësi është që provimi i Jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, pra kërkesa e studentëve do të çohet në vend. Ka dakordim mes VLEN-it dhe kryeministrit, takimi i sotëm në grupin e punës ka qenë për të finalizuar detajet”, theksoi Qamili.
Ai shtoi se zgjidhja parasheh edhe një varg parimesh, mes të cilëve garancinë që e njëjta të mbrohet edhe para Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të mos kontestohet më vonë. “Ajo që është me rëndësi është që provimi i Jurisprudencës është zgjidhur me ligj, e jo me zgjidhje gjysmake siç ka bërë oponenti ynë politik. Ne kemi vendosur edhe parime për këtë zgjidhje. Do të ketë zgjidhje ligjore dhe e njëjta do të jetë e mbrojtur nga Gjykata Kushtetuese, pra të mos vijë nesër që Gjykata Kushtetuese t’i kontestojë”, tha Qamili.
Versioni i zgjidhjes që mbron VLEN u shpalos një javë më parë nga zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali, i cili sqaroi se pjesa teorike e provimit do të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa pjesa praktike në maqedonisht.
Ky model u mbrojt edhe nga profesori universitar Jeton Shasivari, i cili duke komentuar draft versionin e ligjit, e cilësoi atë jo si zgjidhje gjysmake, por si model të kombinuar. “Nuk është zgjidhje gjysmake, as nuk është ndonjë zgjidhje hibride. Është model i kombinuar, është zgjidhje reale, optimale, kushtetuese, ligjore, në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe me standardet evropiane. Keni parasysh se që nga viti 1968 ky provim shtetëror profesional asnjëherë nuk është dhënë në gjuhën shqipe. Ka pasur njëzet qeveri që nga pavarësimi i vendit dhe kjo qeveri është e para që e adresoi këtë çështje, këtë kërkesë të studentëve, me formimin e një grupi të ekspertëve, të cilët punuan gjatë kësaj periudhe dhe me përgjegjësi ofruan një zgjidhje”, theksoi Shasivari. Sipas tij, zgjidhja e propozuar ofron garanci dhe zbatueshmëri institucionale.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është kthyer ndërkohë edhe në terren përballjeje mes VLEN-it në pushtet dhe BDI-së në opozitë. BDI i ka mbështetur publikisht protestat studentore dhe ka akuzuar pushtetin se po e shkel ligjin për gjuhët, duke u vënë, sipas saj, në rolin e shërbëtorit të VMRO-DPMNE-së. Integristët disa herë kanë nënvizuar se për çështjen e provimit të jurisprudencës në shqip, nuk nevojitet ndonjë zgjidhje e re, por mjafton të zbatohet Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, me të cilin, sipas BDI-së, studentëve shqiptarë të juridikut u garantohet e drejta për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Kërkesa për këtë provim nuk është e re. Çështja mori vëmendje të gjerë nga janari i këtij viti, kur rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultetet e drejtësisë, UT, UEJL dhe UNT, kërkuan përmes një peticioni që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në të cilën i kryejnë studimet, duke u thirrur në të drejtën që, sipas tyre, ua garanton ligji.
Që atëherë studentët kanë dalë disa herë në rrugë. Pas tubimit të 6 prillit në Shkup, ku morën pjesë mijëra studentë dhe qytetarë, ata protestuan sërish më 18 maj para Urës së Gurit, nën moton “Bashkohuni me studentët, të gjithë një zë”. Krahas dhënies së provimit në shqip, studentët kanë kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, i cili ua mohon këtë të drejtë. Mbështetje për ta erdhi edhe nga studentët në Tiranë dhe Prishtinë. Ministri Filkov, ndërkaq, ka qëndruar i palëkundur në kundërshtimin e kërkesës. Ai e ka cilësuar debatin për gjuhën shqipe si përpjekje për presion politik dhe nxitje të një konfrontimi ndëretnik, duke këmbëngulur se provimi nuk është çështje politike, por proces profesional. (koha.mk)
tag_katrorimaqedoni_2
Kompania Frutex, pas ftesës nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë lidhur me mundësitë e furnizimit...