Asfalt katastrofal në Suharekë, nuk i pranohet puna punëkryesit


Gazeta Express
11 Korrik 2019 19:43

Në fshatin Samadrexhë të Suharekës, është asfaltuar rruga “Qeshmja e Cufës”. Por puna nuk u krye ashtu siç ishte paraparë në kontratë. Në kontratë parashihej që asfalti të shtrohej në trashësi prej 8 cm, por përveç se ishte jashtë standardit të paraparë, kjo rrugë filloi të prishet në 2 ditët e para pas punimeve.

Pas reagimit të banorëve të lagjes për punën aspak cilësore të kompanisë së kontraktuar, reagoi edhe kryetari i Komunës, Bali Muharremaj.

Kryetari Muharremaj doli personalisht në terren duke inspektuar punimet në rrugë dhe pas asaj që pa, vlerësoi se kjo rrugë duhet të asfaltohet përsëri nga kompania e njëjtë kontraktuese.

“Pas reagimit të qytetarëve kam dalë në rrugë për të inspektuar personalisht punimet. E kam matur personalisht trashësinë e asfaltit dhe diku ishte 7.5 cm e diku 4 cm. Kjo nënkupton se kjo punë është e papranueshme dhe kompania obligohet ta asfaltoj rrugën përsëri”, tha Muharremaj për Gazetën Express.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart