Kthehu lart

Trajtimi i figurës së Skënderbeut te Kadare dhe Qosja

Trajtimi i figurës së Skënderbeut te Kadare dhe Qosja GazetaExpress

Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja nuk e trajtojnë Skënderbeun siç është trajtuar pothuajse te të gjithë, si personazh i pranishëm, por ata e trajtojnë si personazh në mungesë apo personazh statujë, trajtim ky i cili i ka lënë mbresa studiuesit Ag Apolloni, i cili në kuadër të “Javës së Albanologjisë” solli punimin “Hija e Skënderbeut te Kadare dhe Qosja”.

Letërsia shqipe ka një zhvillim atipik, problemi i saj nuk është vetëm shkrimi shqip që daton vonë apo statusi religjioz e propagandistik i librave të parë, por sidomos mungesa e romanit deri në shek. XX dhe sidomos mungesa e romanit të mirëfilltë deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Por edhe romanet e gjysmës së parë të shekullit të kaluar janë romane të papjekura, herë romanca të mirëfillta, herë romane sentimentale dhe herë edukative, sqaron Apolloni duke theksuar se vetëm pas Luftës së Dytë Botërore shfaqen autorët me vetëdije të konsoliduar për zhanrin e romanit dhe kështu romani kthehet në dominant kulturor edhe në letërsinë shqipe.

Nuk është rastësi që pikërisht me roman arritën suksesin më të madh dy shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja, Kadare me “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe Qosja me “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. “Këta dy romancierë të kohës sonë tashmë janë autorë klasikë, jo në kuptimin e poetikës por të vlerës. Janë autorë të mëdhenj të cilët janë marrë edhe më figurën më të madhe të historisë shqiptare – Skënderbeun. Njëri shkruan një roman ‘Kështjella’ ndërsa tjetri një novelë ‘I ringjalluri i penduar’”, theksoi Ag Apolloni.

Sipas tij, që të dy veprat kanë pasur një pretekst kontekstual, okazional. Romani u shkrua me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ndërsa novela me rastin e sjelljes së statujës së Skënderbeut në Prishtinë. “Ismail Kadare njihet si autor i cili nuk eksperimenton me poetika, në veprat e tij gjithmonë qëllim ka qenë ideja jo forma. Romanet e tij janë të mbushura me referenca nga mitet antike e deri te ngjarjet aktuale politike, por nuk provojnë teknikën e kolazhit, eksperimentet funksionale, irritimin e fabulës e të tjera. Në planin formal ai lidhet fortë me zhanrin e romanit duke ruajtur elementet bazike të romanit realist që edhe sot konsiderohet model i përkryer zhanror”, tha ai duke shtuar se në këtë kuptim edhe Kadare është shumë i lidhur me esencën.

Sipas tij “Kështjella” ruan esencën e romanit historik dhe përvishet me elemente të tjera që e largojnë nga ai tip i romanit siç është rasti i mos paraqitjes së heroit që edhe në mungesë është më i dukshëm se të tjerët. “Romani i Kadaresë nuk i qëndron besnik një poetike por e mbron zhanrin, krejt të kundërtën e bën Qosja i cili i qëndron besnik poetikës por e tradhton zhanrin. Ky konstatim nuk ka lidhje me aksiologjinë por vetëm me tipologjinë”, tha ai. “I ringjalluri i penduar” nis me një lutje për ringjalljen e Skënderbeut dhe gjithë pjesa tjetër e saj përshkruan itinerarin e të ringjallurit. Fillimi i saj shkon kah gjeneza e letërsisë fantastike, mesi artikulohet si satirë, fundi shfaqet si revoltë e trefishtë e heroit, narratorit dhe e autorit.

“Këtu autori e nxjerrë heroin nga e kaluara për ta sulmuar të tashmen, pra ai pozicionohet në krahun e heroit dhe i sulmon të tjerët rreth tij”, theksoi Apolloni duke shtuar se ironia që lexohet në mes të rreshtave të novelës qëndron në faktin se nuk dihet nëse prurja e Skënderbeut në Prishtinë bëhet në shenjë nderimi për heroin apo me qëllime të përfitimeve të organizatorëve. Leximet e kumtesave në kuadër të “Javës së Albanologjisë” përfunduan sot duke shënuar kështu edhe mbylljen e edicionit të nëntë të ngjarjes letrare./Kultplus

    Data: 22 Qershor 2018 14:49
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera