Kthehu lart

Shpallet Çmimi Kadare, 10 mijë euro për fituesin

Shpallet Çmimi Kadare, 10 mijë euro për fituesin GazetaExpress

Është prezantuar dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës çmimi letrar “Kadare”. Ky çmim, i cili ka marrë edhe bekimin e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, do i akordohet prozës shqipe dhe, që tani ka hapur thirrjet ku mirëpriten të sjellin dorëshkrimet autorë nga të gjitha trevat shqipfolëse. Çmimi do të akordohet në fundjavën në prag të hapjes së Panairit të Librit në mes të muajit nëntor dhe mban vlerën e 10 mijë eurove për fituesin, vlera më e lartë aktualisht për çmimet letrare që akordohen në vend

Letërsia është kapriçioze në çmime…është i mendimit avokat Spartak Ngjela, ndërsa përgëzoi idenë e çmimit “Kadare”, çmimi më i ri letrar, i cili u prezantua ditën e djeshme në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Në këtë ceremoni prezantimi merrnin pjesë emra të njohur nga bota e letrave, akademikë e gazetarë.

Ky çmim, i cili ka marrë edhe bekimin e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, do i akordohet prozës shqipe dhe që tani ka hapur thirrjet ku mirëpriten të sjellin dorëshkrimet autorë nga të gjitha trevat shqipfolëse.

Çmimi do të akordohet në fundjavën në prag të hapjes së Panairit të Librit në mes të muajit nëntor dhe mban vlerën e 10 mijë eurove për fituesin; vlera më e lartë aktualisht për çmimet letrare që akordohen në vend.

Në vite të tjera ky çmim do të jepet në javën e parë të muajit maj, në Ditët Letrare të Razmës. Bashkë me këtë çmim u promovua edhe Qendra e Studimeve të Letërsisë Shqipe “Kadare”, pranë Universitetit Europian të Tiranës.

Gazetari Alfred Lela, anëtar i bordit të Fondacionit MAPO, i cili akordon këtë çmim, u shpreh se Çmimi Kadare është vetëm një pjesë e një katërkëndëshi ku përshihet Qendra e Studimeve Letrare “Kadare”, “Ditët Letrare të Razmës” dhe hapja e një dege “Shkrimi Krijues” (Creative Writing) në UET. Ndërsa suplementi i fundjavës në gazetën Mapo, “Mapo Libri&Ide” do i kushtohet vetëm letërsisë.

Sipas Lelës, do të pranohen dorëshkrime deri më 31 tetor. Kushti është që në këtë çmim duhet të paraqiten vetëm vepra të autorëve në shqip dhe nga përkthyes, pasi bëhet fjalë për një çmim që i akordohet prozës shqipe dhe jo përkthimeve nga gjuhë të huaja.

Juria që do të akordojë këtë çmim në muajin nëntor, përbëhet nga bordi i Fondacionit MAPO dhe pjesë e saj do të jenë emra si Artur Zheji, Alfred Lela, Gilman Bakalli, Henri Çili, Ylljet Aliçka, Preç Zogaj, Rudolf Marku, Virgjil Muçi. “Nëse një nga anëtarët e jurisë dëshiron të konkurrojë për çmimin me veprën e tij, i duhet të tërhiqet nga juria”, – u shpreh Alfred Lela, duke shtuar se fituesi do të botohet ekskluzivisht nga Botimet Mapo dhe ia kalon të drejtat këtij enti.

Çmimi Kadare lindi si një ide për të sjellë një emër të madh që prodhon letërsi të madhe shqipe.

“Nënë Tereza dhe Ismail Kadare janë dy figura me rezonancë botërore dhe kjo i bën nder Universitetit Europian të Tiranës, pasi janë të parët që japin një çmim të tillë”, – u shpreh Spartak Ngjela gjatë ceremonisë. “Unë mendoj që është një hap përpara për letërsinë që dallon se është në krizë fermentimi. Të gjitha shoqëritë kështu e kalojnë letërsinë. Vjen një fazë pas krizave të mëdha që letërsia është në krizë fermentimi. Shpresojmë që kjo shkrepësja juaj të ndezë një zjarr normal për letërsinë. Besoj se ju pas 15-20 vitesh ndoshta keni bërë një përzgjedhje të mirë të letërsisë shqipe, por se si do ta saktësoni statutin tuaj, nuk e di. Ju uroj suksese dhe ju presim të jepni çmimin e parë”, – përfundoi avokat Ngjela.

Motivet se pse ky çmim do të akordohet vetëm për letërsinë artistike, themeluesit e shpjegojnë me faktin se vetë Kadare njihet në radhë të parë si romancier, edhe pse ka ka shkruar edhe eseistikë, ku ndër më të njohurat janë “Dantja i pashmangshëm”, “Eskili ky humbës i madh”, “Mosmarrëveshja” etj. Nëse eseistika do të jetë kadareane, themeluesit mendojnë se mund të përfshihet në çmim, në vitet e ardhshëm.

-Çmimi “Kadare” do të akordohet nga Fondacioni Mapo në muajin nëntor

-Vitet e ardhshme do të akordohet në fillim të majit, gjatë aktivitetit “Ditët Letrare të Razmës”

-Pranohen vetëm vepra shqip në dorëshkrim

-Aplikimet janë të hapura deri më 31 tetor

Juria

Artur Zheji

Alfred Lela

Gilman Bakalli

Henri Çili

Ylljet Aliçka

Preç Zogaj

Rudolf Marku

Virgjil Muçi

Vlera monetare

10 mijë euro

    Data: 18 Shtator 2015 13:05
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera