Kthehu lart

Sami Leka

Sami Leka GazetaExpress

Vepra më e rëndësishme e përkthyer prej tij, e cila është arritja më e madhe dhe kulmi i tij si përkthyes i letërsisë filozofike, është “Kapitali” i Karl Marksit

Vepra më e rëndësishme e përkthyer prej tij, e cila është arritja më e madhe dhe kulmi i tij si përkthyes i letërsisë filozofike, është “Kapitali” të Karl Marksit. Kjo vepër e madhe filozofike dhe e ekonomisë politike është cilësuar si një nga veprat më të shquara të filozofisë botërore, e cila edhe sot, pas më shumë se 150 vjetësh nga botimi i saj, studiohet në të gjitha universitetet e botës. Vepra e Marksit, teoria dhe filozofia e tij janë keqinterpretuar dhe shtrembëruar nga kundërshtarët dhe pasuesit e tij.Ironia e historisë, – shkruan Erih From, një nga filozofët më të mëdhenj amerikanë të shekullit të ‘20-të, – është se megjithëse burimet shkencore ekzistojnë, bota e sotme nuk njeh kufi në shtrembërimet dhe interpretimet e pasakta të teorive të ndryshme.

Tradita e përkthimeve në Shqipëri është shumë hershme. Kjo traditë ka qenë e dominuar kryesisht me përkthimet nga fusha e letërsisë artistike. Përkthimet më të shquara janë shqipërimet e Fan Stilian Nolit, i cili arriti majat me përkthimet e veprave të autorëve më të famshëm klasikë të letërsisë botërore, duke krijuar edhe një traditë të shkëlqyer në këtë fushë. Kurse në fushën e literaturës së përkthimeve akademike, filozofike, ekonomike etj., kjo traditë pothuajse ka munguar fare. Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, ekzistonin vetëm disa përkthime jo të plota, gjithsej rreth 30-40 faqe, të psikanalistit të shquar austriak, Sigmund Frojd, të përkthyera nga gazetari dhe intelektuali i mirënjohur Branko Merzhani. Kështu e gjen periudha e pasçlirimit këtë literaturë. Krijimi në vitin 1952 i një sektori të veçantë të përkthimeve të letërsisë filozofike e të ekonomisë politike, do të çelte rrugën e përkthimeve të asaj literature filozofike, e cila ishte e pranuar nga regjimi komunist. Kjo solli edhe lindjen e një tradite të re përkthimi. Tematikat e veprave të përkthyera kanë qenë të ndryshme. Kishte vepra të mirëfillta shkencore, filozofike, politiko-shoqërore, historike, ekonomi politike, shkrime kritike për letërsinë dhe artin, për zhvillimin tekniko-industrial etj. Përkthimet e këtyre veprave u kryen përmes vështirësive të shumta, pasi ishte hera e parë që përkthehej kjo lloj literature në gjuhën shqipe, kur në vendin tonë mungonte tradita dhe, ajo që është më e rëndësishme, mungonte terminologjia e duhur në këto fusha. Vaso Koroshi, ish- shefi i sektorit të përkthimit në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, në kujtimet e tij, lidhur me rrugëtimin që ndoqi përkthimi i letërsisë filozofike, shkruan se këto “vështirësi ishin të mëdha, pasi ishte hera e parë që jepeshin në gjuhën tonë vepra të tilla. Tek ne mungonte terminologjia në këto fusha, teori të tilla ishin të panjohura me botime, sapo filluan të ktheheshin nga jashtë shtetit specialistët e parë të këtyre fushave që kishin studiuar në universitetet jashtë shtetit dhe universiteti ynë akoma s’kishte filluar të përgatiste kuadro për këto fusha”.Në këtë sektor u grumbulluan përkthyesit më të mirë shqiptarë, profesionalisht të aftë, që e çmonin dhe e kuptonin rëndësinë e kësaj pune, të cilët hodhën themelet e një tradite të re në fushën e përkthimit të veprave filozofike. Puna e përkthyesit të veprave filozofike ishte e vështirë, delikate dhe me shumë përgjegjësi. Vaso Koroshi, duke folur për vështirësitë e mëdha që hasnin gjatë punës së tyre të përkthimit, ka theksuar përgjegjësinë e madhe që kishin si sektor, si dhe rrezikun për pasojat që vinin nga kjo përgjegjësi. Ai, shkruan Koroshi, “ishte një sektor me shumë-shumë përgjegjësi dhe, për atë kohë, mjaft delikat”.Materiali i përkthyer do të kalonte nëpër shumë e shumë “filtra” të zyrave të Komitetit Qendror të PPSH e të Institutit të Studimeve M-L. Çdo gabim që do të dilte nga shtypi, qoftë ai gramatikor, apo edhe një lapsus, do t’i kushtonte shumë rëndë përkthyesit dhe redaksisë.Një nga përkthyesit e parë e më të spikatur, që hodhi themelet në fushën e re të përkthimeve të literaturës filozofike, ka qenë Sami Lutfi Leka. Rexhep Hida, ish-përkthyes në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori” dhe sot drejtor i Shtëpisë Botuese “Fan Noli”, shkruan se, për themelimin e sektorit të përkthimit, “gurin e parë themeltar e vë Sami Leka. Ky sektor me përkthyes të zotë si Sergei Sherko, Mina Qirici e Meseret Kumbaro, me një drejtues të rrallë si Vaso Koroshi, i ngjante një vargmali hijerëndë, ku padyshim në majë të kreshtës qëndronte mjeshtri i madh Sami Leka”.

Sami Leka lindi më 12 prill 1922 në fshatin Bërzeshtë të Rrethit të Librazhdit, në një familje të njohur për tradita patriotike. Pasi i kreu mësimet e para në fshatin e tij të lindjes, ai i vijoi më tej studimet në Liceun francez të Korçës. Në bankat e kësaj shkolle kanë studiuar shumë intelektualë të njohur shqiptarë, studiues e akademikë, shkrimtarë e artistë etj., si Mahir Domi, Selman Riza, Nonda Bulka, Dhimitër S. Shuteriqi, Zija Xholi, Stefanaq Pollo etj. Akademiku Zija Xholi, bashkënxënës dhe mik i Sami Lekës, ka shkruar në kujtimet e tij se “qysh në moshën e tij të re ai (Sami Leka) provoi se kishte një talent për gjuhët, dinte të çmonte gjuhën dhe të orientohej në gjuhë, siç ishte dhe gjuha frënge. Këtë talent ai e tregoi më vonë edhe si përkthyes, edhe si intelektual. Sami Leka u bë një nga nxënësit më të njohur në Lice dhe në qytetin e Korçës…”.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Sami Leka i ndërpreu studimet në Liceun e Korçës dhe përfshi në lëvizjen antifashiste. “Në qershor të vitit 1943, gjatë pushtimit fashist, – shkruan prof. Zija Xholi, - ne lamë bankat e shkollës dhe morëm rrugën e Luftës Antifashiste dhe dolëm, siç i thoshim atëherë, ‘partizanë’. Sami Leka u kthye në vendlindje dhe së bashku me të atin, Lutfi Leka dhe bashkëluftëtarë të tjerë, themeluan Batalionin partizan të Bërzeshtës. Nëvitin 1945, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, shkoi për të studiuar në një nga Akademitë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik. Për shkak të sëmundjes së rëndë, që e kishte marrë nga lufta, në vitin 1948 detyrohet që t’i ndërpresë studimet dhe kthehet në Atdhe. Në Shqipëri merret me punë të ndryshme administrative.

Sami Leka ishte i pasur me një kulturë të gjerë dhe me një vullnet e pasion të jashtëzakonshëm për të përvetësuar gjuhë të huaja. Sipas familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij, ai zotëronte rreth shtatë gjuhë të huaja: si latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, rusisht, serbokroatisht dhe rumanisht, të cilat, duke punuar në profesionin e përkthyesit, i vuri në shërbim të kulturës shqiptare. Fillimet e para si përkthyes i përkasin vitit 1952, kur punon në redaksinë e përkthimit pranë gazetës “Zëri i Popullit”. Në kujtimet e kolegëve të tij Samiu në këtë periudhëkarakterizohet nga përkushtimi i madh, për punë cilësore dhe nivel të lartë. Zonja Mynever Shuteriqi, një nga drejtueset e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori”, do të kujtontese “Samiu ishte një përkthyes nga më të aftit e më të përkushtuarit”.

Në vitin 1955 krijohet Instituti i Historisë së PPSH. dhe Sami Leka kalon në sektorin e përkthimit të këtij instituti. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 1965 ky sektor u transferua në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe në vitin 1973, pasi krijohet Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, atashohet përfundimisht në redaksinë e përkthimeve të veprave filozofike. Nga puna krijuese në këtë redaksi dhe nga penda e Sami Lekës do të përktheheshin vepra nga më të rëndësishmet filozofike, që, nga përbërja gjuhësore, përbëjnë një pasuri e kontribut të pashembullt në tërë letërsinë shqipe.

Sami Leka ishte edhe një krijues i madh. Veprat e përkthyera prej tij i afrohen shumë origjinalit. Ato janë jo vetëm të sakta e të qarta nga ana gramatikore, por edhe tingëllojë hijshëm. Pikërisht ky harmonizim midis saktësisë shkencore dhe hijeshisë gjuhësore, përbën atë të veçantë që e vë atë në krye të të gjithë përkthyesve të literaturës filozofike. Në disa vepra klasike, ato nuk shtjellojnë vetëm anën teorike të ideve, por janë shumë më të gjera në përmbajtjen e tyre. Autorët e veprave filozofike përdorin shprehje nga jeta e përditshme dhe idioma dialektesh provinciale. Ata i merrnin shembujt nga të gjitha fushat e shkencës dhe veçanërisht nga letërsia, duke cituar autorë të letërsisë klasike botërore. Për ta dhënë bukur dhe saktë në përkthim të gjithë këtë variacion duhej një përgatitje e madhe kulturore dhe gjuhësore, të cilën S. Leka e zotëronte më së miri. Ai kishte një kulturë e gjerë e të gjithanshme, njihte me themel historinë, gjuhësinë, letërsinë dhe artet. Te ky mjeshtër i përkthimit shqip gjendeshin të konfirmuara saktësia shkencore me harmoninë artistike, duke themeluar kështu një model kulturor e gjuhësor të shkëlqyer në përkthimin e letërsisë filozofike e të ekonomisë politike. Vepra më e rëndësishme e përkthyer prej tij, e cila është arritja më e madhe dhe kulmi i tij si përkthyes i letërsisë filozofike, është “Kapitali” të Karl Marksit. Kjo vepër e madhe filozofike dhe e ekonomisë politike është cilësuar si një nga veprat më të shquara të filozofisë botërore, e cila edhe sot, pas më shumë se 150 vjetësh nga botimi i saj, studiohet në të gjitha universitetet e botës. Vepra e Marksit, teoria dhe filozofia e tij janë keqinterpretuar dhe shtrembëruar nga kundërshtarët dhe pasuesit e tij.Ironia e historisë, – shkruan Erih From, një nga filozofët më të mëdhenj amerikanë të shekullit të ‘20-të, – është se megjithëse burimet shkencore ekzistojnë, bota e sotme nuk njeh kufi në shtrembërimet dhe interpretimet e pasakta të teorive të ndryshme. Shembulli më i qartë është sot ajo që është bërë këta dhjetëvjeçarët e fundit me teorinë e K. Marksit. Të krijohet përshtypja se as politikanët e as gazetarët nuk kanë lexuar asnjë rresht nga veprat e Marksit… Kushdo mendon se ka të drejtë të flasë për Marksin pa lexuar asnjë rresht nga veprat e tij, apo qoftë edhe një minimum që do të nevojitej për të analizuar sistemin e ndërlikuar të mendimeve e të ideve të tij. “Kapitali”, “Kritika hegeliane e së drejtës” dhe shumë vepra të tjera të Marksit flasin qartë për idetë e tij humaniste, por që u shtrembëruan edhe u lanë mënjanë nga pasuesit klasikë të tij”. (“Shpirti i njeriut”)

Përkthimi e kësaj vepre kaloi nëpërmjet disa vështirësive dhe sprovave të mëdha, pasi, së pari, mungonte tradita dhe së dyti, mungonte terminologjia përkatëse në gjuhën shqipe. Në takimin përgatitor për fillimin e punës, Sami Leka, me gjithë skepticizmin dhe ngurrimin që patën disa nga drejtuesit e sektorit të përkthimit, shprehu gatishmërinë se kjo vepër mund të përkthehej edhe në gjuhën shqipe. “Kur me propozim nga lart, -e kujton Vaso Koroshi momentin e fillimit të punës për përkthimin e ‘Kapitalit’, - u organizua një diskutim në Ministrinë e Arsimit nga mesi i viteve ’60 me disa kuadro për të parë nëse kishim mundësi të fillonim punën për botimin e ‘Kapitalit’, nga disa kuadro në këtë takim u shpreh mendimi se është akoma e parakohshme për këtë punë, se ka shumë vështirësi, s’kemi akoma botime të këtij karakteri, se mungon tek ne terminologjia e nevojshme etj. Samiu dhe shokët e tjerë të redaksisë atëherë insistuan në mendimin se kjo punë mund të bëhet, se ata marrin përsipër të fillojnë nga puna. Dhe kështu u vendos. Pas kësaj, për 10 vjet me radhë vazhdoi në redaksi puna për të dhënë në gjuhën tonë këtë vepër madhore të shkencës botërore”.

Përkthyesit e kësaj vepre në botë, si Zhozef Rua e Rozhe Garodi në Francë, Palmiro Toliati në Itali, Mozhe Pijade në Jugosllavi, Plehanovi e Bakunini në Rusi etj., kanë qenë personalitete nga më të njohurit në vendet e tyre. Përkthimi i “Kapitalit” në Francë ishte bërë që në gjallje të autorit dhe është cilësuar nga Marksi si origjinali i dytë. Përkthimi i “Kapitalit” nga S. Leka, – shkruan Rexhep Hida, – është vlerësuar si “monumenti më i shkëlqyer që ky mjeshtër i madh i përkthimit i ka ngritur vetes… Ai përkthim në shqip është i barabartë me përkthimet më të mira botërore…” .

Para se të fillonte punën për të përkthyer “Kapitalin”, Sami Leka bëri një punë të madhe përgatitore dhe i studioi gati të gjitha përkthimet më të mira që ishin bërë në botë. Kishte informacion se “Kapitali” i përkthyer në rumanisht ruante vlera të njëjta me origjinalin në gjermanisht. Brenda një kohe të shkurtër mësoi gjuhën rumanishte dhe e studioi hollësisht përkthimin e veprës në këtë gjuhë.

Krijimi i termave të reja solli një risi dhe një traditë të re në përkthimin e veprave të letërsisë filozofike. Me propozim të Samiut, kujton Vaso Koroshi, pranë redaksisë së përkthimit, u krijua sektori i terminologjisë me kartela për çdo vepër, termë, citat, emër etj. Ky sektor kishte një kartotekë shumë të pasur e me kartela për çdo termë, për çdo citat, për çdo vepër, për çdo emër dhe shërbente që të gjithë termat të bëheshin unike kudo që përmendeshin. “Ai, – shkruan Koroshi për S. Lekën si krijues i termave të reja, - e kuptonte se për të siguruar këtë saktësi në radhë të parë duhet të përcaktoheshin saktë në gjuhën tonë termat e shumta filozofike, teorike të ekonomisë politike, politiko-shoqërore, teknike, por edhe nga fusha të tjera… Samiu për çdo termë të konsultoheshe edhe me botime në gjuhë të tjera, si në frëngjisht, italisht, rumanisht e pastaj ta vendoste termin në shqip. Samiu në këtë drejtim ka qenë krijues”. Samiu tregoi një vendosmëri të jashtëzakonshme profesionale dhe krijoi me dhjetëra fjalë të reja. Një nga termat më të njohura dhe më të veçanta, që mban autorësinë e Samiut, ka qenë krijimi i termit “Mbivlerë”.

Me gjithë punën e madhe dhe të jashtëzakonshme që përkthyesit shqiptarë zhvilluan për gati 40 vjet, duke sjellë në gjuhën shqipe vepra të mëdha nga letërsia filozofike botërore, ata, për fat të keq mbetën anonimë. Vaso Koroshi, një nga drejtuesit kryesorë të redaksisë së përkthimit të veprave të filozofisë, do të shkruante shumë vite më vonë në kujtimet e tij se “të gjitha veprat e botuara gjatë këtyre viteve nga redaksia nuk e kanë emrin e përkthyesit…”.Asnjëherë dhe në asnjë vepër nuk u vendos emri i autorit që kishte përkthyer librin. Ky absurditet, – do të shkruante Vaso Koroshi, – do të bëhej me justifikimin se këto dalin si botime të institutit (të studimeve marksiste-leniniste) dhe bëhen me vendim të KQ të PPSH, ashtu siç është vënë në krye të çdo botimi”.Mohimi i autorësisë së përkthimit përbënte një shkelje të madhe të së drejtës së autorit. Ky veprim, – shkruan V. Koroshi, – e kishte “privuar përkthyesin nga një e drejtë e pamohueshme që i takonte…”. Gjithashtu ai shprehte edhe një opinion nënvleftësues që autoritetet shtetërore kishin për punën e përkthyesit dhe të përkthimit në tërësi. Nga vendimi absurd i shtetit shqiptar humbën emrat e shumë përkthyesve të shquar, siç ishin Sami Leka, Sergei Sherko, Mina Qirici, Meseret Kumbaro, Rexhep Hida etj. Vepra e tyre mbeti në anonimatin e përjetësisë. Shefat e redaksisë i ishin drejtuar në mënyrë të përsëritur institucioneve eprore, por ata kishin hasur në një heshtje absurde. “Kjo çështje, - shkruan Vaso Koroshi, - është ngritur disa herë dhe është kërkuar nga udhëheqja e institutit nga vareshim, por nuk na është dhënë zgjidhje”. Zyrtarët u kishin përplasur në fytyrë vendimin e komitetit qendror, që nuk ua lejonte vendosjen e emrit në veprat e përkthyera. Redaksia e përkthimit i ishte drejtuar me një kërkesë edhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, që përkthyesit e kësaj redaksie të pranoheshin si anëtarë të Lidhjes, duke qenë se veprat e përkthyera prej tyre ishin krijime të mirëfillta letrare, “por kjo kërkesë nuk na u aprovua”, – shkruan Vaso Koroshi, – dhe sot e kuptojmë fare mirë se ky ka qenë një mohim i së drejtës së njeriut, i përkthyesit në këtë rast, por edhe një cenim i personalitetit të tij, për një punë aq të nderuar e të vlefshme. Mendoj se kjo, veç të tjerave, ka të bëjë me një opinion nënvleftësimi të punës së përkthimit në përgjithësi që ka ekzistuar tek ne. Aq e vërtetë është kjo sa dhe punonjës të shquar të letrave punonin me norma ditore në përkthimin e letërsisë klasike greke, latine dhe gjermane, d.m.th., të veprave të Sofokliut, të Euripidit dhe të Gëtes, janë vënë norma ditore në përkthim”.

Sami Leka dhe një pjesë e kolegëve të tij, u ndanë nga kjo jetë me brengën dhe pengun e madh se kurrë nuk u afirmuan si shqipërues letrarë, duke iu mohuar e drejta më e rëndësishme e krijimtarisë, ajo e autorësisë së krijimit të veprave të përkthyera prej tyre, të cilat ishin krijime të mirëfillta letrare. Vetëm pas viteve ’90 u përkujtuan në shtypin e lirë, në gazeta, emrat e disa prej përkthyesve të letërsisë filozofike, duke vlerësuar punën e madhe që ata kryen për kthimin në gjuhën shqipe të veprave më madhore të letërsisë filozofike botërore. Nëpërmjet shkrimeve u zbulua brenga e madhe që kishin pasur përkthyesit shqiptarë të letërsisë filozofike, të cilët, me gjithë punën e madhe e të jashtëzakonshme që ata kryen për gati 40 vjet, për fat të keq mbetën anonimë.

Një nga vështirësitë më të mëdha që haset sot është gjetja e veprave dhe identifikimi i emrave të përkthyesve. Përkthimi i veprave në redaksinë e përkthimeve bëhej me një plan të paracaktuar. Planet e punës të çdo përkthyesi ruheshin në arkivin e Shtëpisë Botuese “8 Nëntori” dhe të Institutit të Studimeve M-L, por sot, – shkruan Vaso Koroshi në vitin 2002, – më duket se është e pamundur të gjenden këto plane në arkivat e Institutit dhe të Shtëpisë Botuese… Veç asaj, tani asnjë nga këta përkthyes nuk është më. Dhe ne, dy tre-veta që jemi gjallë akoma nga punonjësit e këtij kolektivi tani, pas 40 vjetëve nuk mbajmë mend ndarjen e pjesëve, siç është bërë atëherë për këto botime…” V. Koroshi bën apel që veprat e përkthyera nga kolegët e tij duhet të njihen, pasi ato janë një pasuri e madhe gjuhësore dhe një traditë e jashtëzakonshme në teorinë e përkthimit. “Jam i mendimit, – shkruan ai, - se njohja dhe përgjithësimi i përvojës së pasur të Samiut, por edhe i shokëve të tjerë në punën e këtyre përkthimeve ka rëndësi të madhe teorike dhe praktike për të hedhur baza të shëndosha në teorinë tonë të përkthimit”.

Gjatë hartimit të këtij shkrimi kemi kërkuar veprat e përkthyera prej Sami Lekës, por puna për gjetjen e tyre ka qenë shumë e vështirë. Emrin e Samiut si përkthyes e kemi hasur spontanisht në dorëshkrime të ndryshme, në kujtime, dokumente, artikuj gazetash etj. Kështu, p.sh., në vitin 2002, prof. dr. Eduart Sulstarova, djali i tezes i Sami Lekës, na vuri në dispozicion një dokument shumë të rëndësishëm të ruajtur prej tij, që mbante datën 14 maj 1979, e cila përmbante fjalën e mbajtur në ditën e varrimit të Sami Lekës, në të cilin shkruhej: “Gjatë një periudhe 30-vjeçare ka bërë një punë voluminoze të pastër, me mjeshtëri e cilësi të lartë për përkthimin e mjaft veprave madhore, siç është ‘Kapitali’, ‘Ideologjia gjermane’ etj., duke dhënë kështu një kontribut të shquar edhe për pasurimin e gjuhës shqipe me shprehje, terma filozofike, të ekonomisë politike etj.”.

(Avni ALCANI; Shqip)

    Data: 26 Maj 2014 13:38
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera