Kthehu lart

Promovohet në Tiranë libri ‘Testamenti’ nga Sabri Hamiti

Promovohet në Tiranë libri ‘Testamenti’ nga Sabri Hamiti GazetaExpress

‘Testamenti’ libri i ri nga Sabri Hamiti është promovuan sot në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Libri “Testamenti” vjen si një reflektim i vijueshëm me shkrime kritike për letërsinë shqipe, të shkruara gjatë këtyre viteve të fundit nga autori. Këto shkrime klasifikohen prej tij në tri pjesë: I. Lirika shqipe, II. Leksione dhe III.

‘Testamenti’, që me ide e procedime letrare lidhen domosdoshmërisht në një sistem me librat pararendës të tij si: Bioletra, Tematologjia, Albanizma, Utopia letrare.

Me këtë libër të fundit ai përmbyll “pesëlibërshin” që synon titullin e përbashkët “Poetika shqipe” apo, siç e shpreson vetë autori “një filozofi të letërsisë”.


Parathënia e librit e shkruar nga Hamiti:

Libri Testamenti përmban shkrimet kritike për letërsinë shqipe, të bëra në vitet e fundit. Këto shkrime klasifikohen në tri pjesë: I. Lirika shqipe, II. Leksione dhe III. Testamenti, që me ide e procedime letrare lidhen domosdoshmërish në një sistem me librat pararendës: Bioletra, Tematologjia, Albanizma, Utopia letrare.

Në pjesën e parë, Lirika shqipe, trajtohet lirika si thelb i artit letrar, që si qenie, si thurje e si komunikim shfaqet në trajtë të klithmës emocionale, në trajtë të thirrjes identitare e, më rrallë, në trajtë të shqiptimit metafizik. Që nga zanafilla dy trajtat e para janë pranuar më lehtë e janë interpretuar më shtruar. Këtë herë është bërë përpjekje për interpretim të poezisë së mendimit, lirikës metafizike, të autorëve shqiptarë. Profecia poetike e Pjetër Bogdanit, lirika romantike e Jeronim de Radës, doktrina letrare e Naim Frashërit, lirika klasike e Ndre Mejdës, testamenti lirik i Gjergj Fishtës, lirika moderne e Lasgush Poradecit, misioni poetic i Esad Mekulit, urtia poetike e Azem Shkrelit. Është parë domosdoshmërish edhe thelbi identitar e shqiptimi elegjiak i kësaj lirike, që merr forma të ndërliqshme poetike.

Në pjesën e dytë, Leksione, (duke u nisur nga thelbi i nocionit leksion, së pari si zgjedhje e lexim dhe së dyti si ligjërim) janë trajtuar fenomene karakteristike të letërsisë shqipe. Te kapitulli Gjergj Kastrioti (Variacione për heroin nacional) kërkohet paradigma letrare e historisë dhe e letërsisë së identitetit: nisur nga amëza letrare, duke kaluar nëpër format e letërsisë në poezi, në dramë e në prozë, të autorëve të njohur shqiptarë. Te Ujdhesa e shpëtimit diskutohet drama e krijuesit dhe veçoria e krijimit letrar në diasporë. Në Lamberci e Çabej: për letërsinë shqipe, bëhet ballafaqimi i dijetarit gjerman e dijetarit shqiptar rreth zanafillës dhe zhvillimit të letërsisë shqipe. Në kapitullin Një histori alternative e letërsisë shqipe, rroket në trajtë teorike e në interpretim praktik letërsia shqipe e shkruar në gjuhë të huaja, duke tematizuar dhe mënyrën e komunikimit të saj në sistemin e tërësishëm të kësaj letërsie. Në një kapitull trajtohet letërsia dokumentare, si letërsi e logorit, e Zef Pllumit, duke lexuar edhe veprat postume të tij. Një kapitull tjetër ruan në vëmendje murgun letrar Anton Pashkun, duke interpretuar tekstet e tij më të fundit, dhe duke i vënë në relacion me prozën e tij moderne dhe letërsinë bashkëkohore shqipe. Letërsia si kujtesë, e trajtuar si fenomen universal letrar, vë në dukje trashëgiminë kulturore individuale si thelb të ligjërimit letrar te autorë të shekullit njëzet. Trajtesa Ego: romani bashkëkohor  tematizon ballafaqimin e Autorit me Lexuesin në tekstin e romanit shqiptar të fillimit të shekullit XXI. Mësimi i letërsisë diskuton letërsinë si vlerë fundamentale shpirtërore të kombit dhe kompleksivitetin e mësimit të saj në katedra, duke tejkaluar rrezikun e klishetizimit të formave letrare, të cilat janë të hapura përjetësisht dhe akceptohen në formë të varianteve nëpër sensibilitetin e brezave.

Në pjesën e tretë, Testamenti, bëhet shenjimi i të dhënave letrare në kohë, autorë, vepra, stile, individualitete, formacione, të gjitha në një sistem të lidhur për të krijuar raportin e komunikimit të tërësishëm letrar brenda sistemit të letërsisë nacionale.

Sabri Hamiti

Prishtinë, gusht 2018


    Data: 14 Dhjetor 2018 20:16
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera