Kthehu lart

Përkthyesit danteskë të Alighierit

Përkthyesit danteskë të Alighierit GazetaExpress

Poetët dhe përkthyesit shqiptarë që e bënë Dante Alighieri-n të flasë shqip. Disa prej tyre e njohën për së gjalli ferrin dantesk në burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës. Biblioteka Kombëtare i ka sjellë të gjithë në një ekspozitë, në përkujtim të 750-vjetorit të lindjes së poetit të perëndishëm fiorentin

Ferri, Purgatori, Parajsa…Komedia Hyjnore e plotë…Kont Ulogini, Beatriçe… Në sallën e ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare gjen të ekspozuara copëza të kryeveprës më të madhe të letërsisë botërore. Poeti i perëndishëm i Florencës siç shkruhet në një prej artikujve të revistës “Ora” të 3 nëntorit të vitit 1929, vjen për publikun kryeqytetas në 750-vjetorin e lindjes të Dante Alighieri-t, i cili në shqip sapo ka mbushur 120 vjeç.

Më herët se një shekull më parë, më 1895 –ën, arbëreshi Luigji Lorekio do të sillte në shqipen arbërore të madhin poet italian. Ndaj edhe ekspozita, duke respektuar një rend kronologjik nis pikërisht me dorëshkrimin e përkthimit të Lorekios, që vetë ky i fundit ia dorëzoi shkrimtarit arbëresh Jeronim De Radës, i cili e botoi më pas në organin letrar “Antologjia albanneze”, që drejtohej nga de Rada. Sipas kuratorit të kësaj ekspozite, Lisandri Kola, ku dorëshkrim

është dëshmuar edhe nga fondi Gargoyles.

Në 120 vjet Dante Alighieri ka njohur disa përkthime në shqip. Janë të shumtë emrat e poetëve tanë që lidhën përvojën e penës së tyre me të, që nga De Rada e Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi e Martin Camaj, Ernest Koliqi e Arshi Pipa, deri te Kadare e At Zef Pllumi, përkthimet e Pashk Gjeçit e Mark Ndojës, fragmentet erudite të Nikollë Dakës. Disa prej tyre e njohën për së gjalli ferrin dantesk në burgjet dhe kampet e internimit të diktaturës. Kuratori i ekspozitës “Dante i shqiptarëve”, Lisandri Kola është shprehur se këta poetë e përkthyes janë përzgjedhur për të përfaqësuar ferrin simbolik të Dantes. Përkthimet dhe botimet mbi Komedinë Hyjnore dhe Dante Alighieri-n, vijnë të shoqëruara nga skica e ilustrime të vetë poetit, fragmenteve nga Ferri, Purgatori apo takimi i Dantes me Beatriçen, të piktorëve të mëdhenj botërorë si Salvador Dali, William Blake, Sandro Botticelli, Gustave Dore etj., që të bëjnë të udhëtosh nëpër dimensionin tejbote të Alighieri-t. E ekspozuar është edhe Komedia Hyjnore një version në miniaturë i dorëshkrimit shoqëruar me ilustrime bërë enkas për mbretin e Napolit, Alfonso D’Aragona, në shekullin e 15 –të, apo ilustrimi i Domenico di Michelino-s, po i shekullit 15.

Në ekspozitë gjenden botime të përkthimeve danteske të Pashk Gjeçit, Mark Ndojës, e Nikollë Dakës etj. Pashko Gjeçi, njohës i shkëlqyer i italishtes, i gjuhëve klasike, greqishtes së lashtë dhe i latinishtes, në një prej intervistave të tij dhënë në Itali, vite më parë do të shprehte se përfytyrimin më të qartë të Komedisë Hyjnore do ta merrte në vitet e burgut.

”Pas pesë vjet burg e internim, punova si mësues i latinishtes dhe pastaj si pedagog në fakultetin e Letërsisë të Universit të Tiranës…Rruga ime ka qenë ajo e arsimit, e kulturës. Fakti që më futën në burg, mua më është dukur i jashtëzakonshëm, për arsye se nuk kisha ndonjë interes të thellë për politikën. Por kjo periudhë e jetës që kalova në burg, ndonëse e padëshirueshme dhe e rëndë, më ka vlejtur. Aty kam përfytyrue më qartë “Komedinë Hyjnore” të Dante Aligierit, sidomos “Ferrin” . Rruga ime ka qenë ajo e arsimit. Unë nuk jam marrë me politikë, por me përkthime. Qysh i ri kam pas përkthye disa poezi të Xhiakomo Leopardit dhe Dantes. Këta dy poetë i kisha ma për zemër, por sidomos Dante Aligierin”, kështu rrëfente ai ndërsa kujtonte sesi i recitonte këngë të tëra të Komedisë me të cilat ishte dashuruar.

Më 1965-n, në 700-vjetorin e lindjes së poetit fiorentin, u botua në revistën “Shejzat” që drejtohej nga Ernest Koliqi në Romë. shkrimi me titull “Dantja dhe shpirti shqiptar” me autor mjekun kirurg Nos Qirjaku.

Në ekspozitë janë përfshirë edhe perceptimet e kritikës letrare shqipe për Danten, që nga De Rada, Martin Camaj, Arshi Pipa, “Dante and Montale” Alfred Uçi, “Ferr-Parajsa Danteske e deri te Ismail Kadare me “Dantja i pashmangshëm”, por gjen gjithashtu të ekspozuar edhe “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” të Kadaresë, e cila me strukturën e saj, sipas studiuesit Agim vinça, të kujton ngrehinën groteske të Dantes.

Kjo ekspozitë sjell vetëm 30 përëind të materialeve që Biblioteka ka për Alighieri-n.

Nga sprova e parë e përkthimit prej Luigji Lorekios në arbërisht kanë kaluar vetëm 120 vjet, por tashmë Komedia Hyjnore gëzon disa përkthime të plota në shqip e të tjera sprova premton ende, sipas drejtores së Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani. Në këtë ekspozitë vjen një bocet i botimit dhe përkthimit të ardhshëm të Dantes nga Neritan Spahija si edhe Komedia Hyjnore e në alfabetin brail për të verbrit, me versionin e përkthyer nga Mark Ndoja.

Kjo ekspozitë e organizuar nga Biblioteka Kombëtare, Instituti Italian i Kulturës, Shoqata “Dante Alighieri” dhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 23 tetor, ku publiku mund të përjetojë pak ferr, purgator dhe parajsë danteske në gjuhën shqipe.

/Mapo.al

    Data: 15 Tetor 2015 13:29
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera