Kthehu lart

Ndërthurja e zhanreve dhe e poetikave romanore

Ndërthurja e zhanreve dhe e poetikave romanore Autori: Bashkim Kuçuku GazetaExpress

Mbi disa tipare të romanit “E zeza dhe e kuqja” e Mehmet Krajës

Romani polifonik “E zeza dhe e kuqja” i Mehmet Krajës është një sintezë zhnresh, që është edhe përcaktues edhe i stilit të tij, të zhvilluar e pasuruar në vite. Në të janë ndërthurrur zhanre dhe përbërës të romanit psikologjik, sagë, ironik, fantastik, utopik, përsiatës filozofik, etj. me trajtat e veta rrëfimore, realiste, ironike, fantastike, utopike, përsiatëse, lirike poetizuese, epiko-legjendare një sërë prej të cilave janë shndërruar në trajta të tjera, moderne e pasmoderne, që janë dhe zotëruese. Ndërkëmbimi i tyre ka përftuar shëmbëlltyrat e tri botëve të ndryshme, përballë a të mbivendosura. Njëra është shëmbëlltyra e jetës së njëmendët, atyre që ndodhin në përditshmëri dhe kanë ndodhur në histori, me konkretësi hapsinore mjediset e Krajës, buzë liqenit të Shkodrës, matanë kufirit politik, dhe në referencë kohore qindvjetshi 1912-2012. 

Dy janë shëmbëlltyra të botës mendimore psikologjike, të panjëmendëta, utopike, e vegimeve të dëshirave ëndërrore, dhe antiutopike, fantaziste e një bote të përtejme të vdekjes. Natyrisht, do të ishte e vështirë, në mos e pamundur, të paraqiteshin me mjetet e kufizuara të një zhanri të caktuar, që do të thotë, se ndërthurrjen e zhanreve dhe të poetikave nuk e ka zgjedhur thjesht autori si eksperiment, por e kanë kërkuar këndvështrimet e ndryshme për botën njerëzore, për rrjedhojë, edhe brendia e pasur.

Ironia
Titulli “E zeza dhe e kuqja” është ironik, parodizim i titullit të romanit të Stendalit “E kuqja dhe e zeza”. Me këtë nyje zanafillore prej letërsisë, ironia zhvillohet për mosharmoninë mes ngjyrës së kuqe dhe të zezë, që janë ngjyrat e flamurit shqiptar, simbol i identitetit dhe i historisë. Renditja e tyre është e përmbysur dhe në një këndvështrim të kundërt. E para dhe zotëruese është e zeza, simbol i të keqes, mosharmonisë në analogji me moskuptimet, mosmarrëveshjet, paaftësinë, mungesën e bashkëveprimit për të përballuar situatat qeniesore, dobësitë, veset, humbjet e shqiptarëve, të cilat janë objekti i romanit në këndvështrime të ndryshme, në radhë të parë, ironik. E kuqja, apo, e mira, heroikja, virtyti, e arritura është dytësore. Romani është ironi e kundërvënies me mendësinë, letërsinë dhe historiografinë heroizuese shqiptare.

Saga e tjetërsuar
Ironia groteske, tipari përcaktues i stilit të Mehmet Krajës, në “E zeza dhe e kuqja” shpërfaqet nëpërmjet strukturës ndërkohore dhe ndërtekstore të sagës. Historitë e rrëfyera nga rrëfimtari autor për tre breza: gjyshin, të atin dhe veten shprehjen më të plotë të kohës një shekullore nuk mund ta gjenin veçse te struktura e sagës me kohështrirjen e vijueshme më të madhe. Ato janë shtjelluar në tri pjesë të ndara, ose, në tre romane të njësuar, njëkohësisht dhe të mvehtësishëm. Nuk janë historitë e një familjeje të mbyllur në vetvete, ndonëse shpërfaqen mendësitë, traditat, zakonet, mënyra e jetesës, normat morale, veset, dobësitë, obsesionet, paranojat, marrëzitë, por janë bëmat e burrave të saj në marrdhënie me problemin qeniesor identitar, në referencë me ngjarjet historike të vendosjes së dhunshme të kufirit shtetëror politik mes shqiptarëve dhe pasojat e tij (1912-2012). Kalimi nga problematika familjare në problematikë politike kombëtare është një nga kapërcimet e llojit të sagës. Edhe rënja e familjeve, ndryshe nga në sagë, ka ardhur nga shkaqe të jashtme politike dhe jo prej ndonjë krimi primordial të pjesëtarëve të saj. Gjyshi, i ati dhe i biri i tij rrëfimtar nuk ndëshkohen për padrejtësi e krime. Ata janë viktima të padrejtësive politike të të tjerëve. Kështu, thelbi filozofik i sagës është tjetërsuar, në një këndvështrim të ri, me domethënie të tjera, politike. Me shndërrime të tilla problematike, mendimore dhe rrëfimtarie, saga e Mehmet Krajës është shndërruar në një lloj sage pasmoderne. Prej saj janë ruajtur analizat e thella psikologjike, referenca ndaj ngjarjeve dhe figurave historike, karakterizimi i disa personazheve me mënyra e mjete realiste.

Roman psikologjik me përbërës të llojit filozofik
Në kuptimin më të përgjithshëm është roman psikologjik me analiza të vazhdueshme të vetëdijes, të bëmave dhe përjetimeve në përditshmëri, të shfaqjeve të pavetëdijes në përditshmëri dhe në gjumë, në këndvështrime të ndryshme sipas personazheve, në formën e enigmave të pashpjegueshme, ose, të mistifikuara prej tyre. Trajta ligjërimore zotëruese janë përsiatjet e rrëfimtarit dhe të personazheve për veten dhe të tjerët, jetën, ndodhitë, përbërës tjetër i romanit psikologjik. Faqe të tëra janë me përsiatje për botën e njëmendët dhe të përtejme, universin, kohën, hapësirën, gjuhët, identitetin, besimet, qytetërimet, ëndërrimin dhe ëndërrat, gjumin, zgjimin, etj. me pyetje të arsyetuara sipas formimit, me përgjigje dhe pa përgjigje, përgjigje të dyzuara a gjysmake, me pyetje habie pa rrugëdalje, të cilat e ngrenë në shkallaren e romanit me përbërës filozofik.

Utopi vegimesh ëndërrore
Në “E zeza dhe e kuqja” nuk është utopia e zakonshme politiko-ideologjike, por një utopi vegimesh lumturuese vetjake, thjesht njerëzore, à la shqiptare. Përmbi rrafshin e shëmbëlltyrës së përditshmërisë së njëmendët/reale, nëpërmjet një rrëfimi poetizues shpërfaqen ritmikisht, në formë sekuencash lirike vegime ëndërrore lumturuese, të ngjashme me vegimet idilike të krijimtarisë gojore popullore, mishëruar në epos. Janë fluturime mendimore të mendësisë shqiptare për dëshira vetiake, më tepër erotike seksuale, të mirëqënies e komoditetit, burrërisë, lavdisë, të pasendërtuara e të pasendërtueshme në jetën e mungesave të përhershme, një lloj utopie lumturuese autosugjestive. Kohëhapësira/kronotoposi e saj është psikologjike, në kohë të tjera, tej përditshmërisë në tokë, dhe në hapësira të largëta, qiellore a ëndërrore. Dy heronjtë e brezave të parë, me qëllime e bëma njerëzore të çmueshme, me virtyte, dobësi e vese jetojnë njëmendësinë e vështirë tokësore dhe përjetojnë panjëmendësinë qiellore/ëndërrore ndaras prej njëra-tjetrës, në rrafshe, ku priten e njëmendëta e përditshmërisë, rëndomtësia, vulgarizmi me fantazisten, idiliken lumturuese. Heroi rrëfimtar, që është i brezit të tretë, pa qëllime e ideale, i zhgënjyer, i huaj dhe i humbur jeton vetëm njëmendësinë, pasi dhuntinë e përjetimeve lumturuese e ka humbur në zhgënjimet e rinisë.
Vegimet ëndërrore lumturuese, të ndërfutura, gati, vazhdimisht, në rrëfimin për shumë personazhe e në përsiatjet e tyre, janë për Shkodrën, e cila kuptohet e përjetohet si qendra e gravitetit të qeniesisë/ekzistencës, e drejtimit, referencë e përhershme, gjedhe e jetës për ata që kanë qenë dhe e kanë parë dhe për ata që nuk kanë qenë dhe e mezi presin për të shikuar, ndonëse u shfaqet me dy pamje të kundërta. Përballë shëmbëlltyrës së Shkodrës utopike të përjetimeve dhe fantazisë lumturuese është shëmbëlltyra e Shkodrës së njëmendët, joshëse e keqpërdoruese e tyre, xhvatëse, me kurthe, nënvleftësim e përçmim me nofkën krajan, malok. Vegime përjetimesh të tilla, të thella dhe me kaq ndjeshmëri, si një poemë në prozë, nuk duken ndryshe, veçse fryte të ndalesës njerëzore të madhe, që i ndërpreu atij mjedisi padrejtësisht me dhunë lidhjet gjenetike e komunikimin për 100 vjet me Shkodrën, metonimi edhe e Shqipërisë së këtejme, të cilat nënvetëdija i ka sublimuar në art të vetëdijshëm. Utopia e Mehmet Krajës është origjinale, e tjetërsuar, jashtë gjedhes së zhanrit, utopi vegimesh vetjake psiko-sugjestionuese.

Antiutopia në botën e përtejme
Të tri pjesët, apo, të tre romanet përmbyllen me një njësi në formë epilogu, shëmbëlltyrë e një antiutopie në botën e përtejme, e përcaktuar në përmasat kohore-hapsinore të pafundësisë dhe të asgjësë. Prej andej, hijet e personazheve, botën e të gjallëve prej nga kanë ardhur, e perceptojnë në këndvështrime të panjohura. Atje dalin nga errësira të fshehtat e tmerrshme, vrasjet prej ushtarëve dhe njerëzve të një pushteti të huaj, të cilat në jetën tokësore nuk i ka ditur kush dhe as ata mbi të cilët kanë rënë, prandaj, rrëfehen nga perspektiva e botës së përtejme, ku nuk ka asgjë të fshehtë dhe vet fshehtësia nuk ka kuptim. Heronjtë, kur dëgjojnë makabritetet që u kanë ndodhur të tjerëve, ose, kur kuptojnë poshtërimin që u kanë bërë atyre të gjallët nxjerrin mbetjet nga zgavrat e syve për të humbur lidhjet me botën e të gjallëve. Mehmet Kraja për të shtrirë përmasat hiperbolike të negativizmit nëpërmjet absurdes, paradoksit dhe fantastikes shkon larg prej zhanrit të antiutopisë, që, zakonisht, sado e keqe, ndërtohet mbi tokë. Me peshën e rëndë të krimeve, të padrejtësive, prapësive njerëzore që zbulon, e zbret poshtë, nën tokë, me pohimin e nënkuptuar, se realiteti shoqëror është më i keq dhe jo thjesht ai që njohim, që shohim me sy e dëgjojmë me vesh.

/KohaDitore

    Data: 11 Dhjetor 2018 13:55
    Autori: Bashkim Kuçuku

    Të tjera