Kthehu lart

Mbi mediokritetin e Albatros Rexhajt

Mbi mediokritetin e Albatros Rexhajt Autori: Armend Mazreku GazetaExpress

Ajo që e veçon Albatrosin nga shkrimtarë të tjerë, besoj unë, janë tri gjëra të vlefshme. Së pari, gjenialiteti i tij për të shkruar me mijëra faqe dhe për të mos thënë asgjë! Megjithatë, kjo kërkon një lloj gjenialiteti, apo jo? Së dyti, aftësia për t’u shquar në të gjitha gjinitë letrare (i.e., romane, novela, poezi, drama, ditarë, etj.), gjë që nuk ka ndodhur jo vetëm me shkrimtarë shqiptarë, por as me shkrimtarë të shquar botërorë. Dhe së treti, dëshira e patjetërsueshme për ta rrjetëzuar “filozofinë” dhe “letërsinë” e tij

Në një tekst të tijin të botuar në motin e largët 1942, shkrimtari i mrekullueshëm austriak, Stefan Zweig, flet për thjeshtësinë mahnitëse që e veçon varrin e shkrimtarit i mirënjohur rus, Lev Tolstoy, duke shkruar: “Në mbarë botën nuk gjen dot varr më poetik, më mbresëlënës dhe që ta mbush tërë shpirtin me përdëllim se varri i Tolstoy.”

Lexuesi, sigurisht, do të pyes se çfarë ishte ajo gjë që e kish shtyer Zweig të mrekullohej mbas varrit të shkrimtarit rus?

“Varri i tij nuk ka as kryq,” sqaron Zweig, “as pllakë varri me mbishkrim, nuk është i shkruar as emri i Tolstoy. Është varr njeriu të madh, varri i atij që, si askush tjetër rënkoi nën barrën e emrit të lavdisë së vet dhe mbeti pa emër, si të ishte i varrosur ndonjë njeri i rrugës, pa plëng e pa shtëpi, pa farë e fis, apo ndonjë ushtar i panjohur.”

Mirë-mirë, mund të thonë lexuesit, por ç’kuptim ka që një shkrimtar fantastik si puna e Tolstoy të mos ketë një varr të denjë për të? A thua populli rus nuk ditka t’i nderojë njerëzit e vet më të shquar? Apo, ndofta, qe vetë shkrimtari ai që nuk donte që varri i tij të çatrafilohej me lloj-lloj mbishkrimesh?

Ishte pikërisht e dyta.

Siç rrëfen Zweig, kishte qenë dëshira e Tolstoy që të varrosej në një pyll të fshehur, dhe nën drurë të dendur e gjarpërues. Prandaj, thotë Zweig, “Asgjë në botë, dhe për këtë edhe njëherë bindesh pas vizitës në këtë varr, nuk ndikon aq fort, nuk të lë mbresë aq thellë sa thjeshtësia mahnitëse që e karakterizon atë. As mauzoleu i Napoleonit nën qemerin e mermertë në Shtëpinë e Invalidëve, as varri i Gëtes në mauzoleun princëror në Vajmar, as sarkofagu i Shekspirit në abacinë e Westministerit nuk të ngjallin në shpirt ndjenja aq thellësisht njerëzore, sa heshtja gjithë sunduese, varri aq i thjeshtë dhe aq prekës në thjeshtësinë e tij, në këtë pyll, që ledhatohet tërë kohën nga era dhe ruhet me kujdes nga qetësia.”

Lexuesit, sidoqoftë, do të pyesin sërish se si është e mundur që, në njërën anë, dëshira e shkrimtarit ishte të mos gëzonte nam e nishan në këtë dynja, kurse, nga ana tjetër, emri dhe vepra e tij janë bërë të pavdekshme. Shprehur ndryshe, si është e mundur që, përkundër dëshirës së tij për të mos u bërë i famshëm, Tolstoy arriti të bëhet jo vetëm njëri ndër përfaqësuesit më të denjë të letërsisë ruse (krahas Pushkin, Dostoyevsky, Gogol, Chekhov, Yesenin, Lermontov, Nabakov, Bulgakov, Pasternak, Mayakovsky, Zamyatin, etj.), por edhe asaj botërore?

Në mendimin tim, qenë tri arsye.

E para, siç dhe u theksua më lart, ishte neveria dhe përbuzja që Tolstoy mbante ndaj namit, parasë, pozitës së lartë në shoqëri, dhe gjithçkaje tjetër të pështirë që adhurohet në ditët e sotme. Po ashtu, leximet e gjithanshme të klasikëve, poetëve, historianëve, filozofëve, piktorëve, teologëve, etj. Siç shkruan edhe vetë në një nga veprat e tij, “Një kohë, kur njeriu donte të fitonte kulturë, zinte e studionte gjithë klasikët, etërit e kishës, poetët tragjikë, historianët, filozofët; merrni me mend se ç’punë të madhe mendore duhej të bënte ai.” Dhe së fundmi, veprat e tij të mrekullueshme, që mbesin jo vetëm të patejkalueshme, por edhe të paarrira.

Për fat të keq, në kohën e sotme, të refuzosh leximin e klasikëve, të dehesh nga numri i madh i lexuesve mediokër, të vraposh pas çmimeve, parasë, pozitës së lartë në shoqëri, famës, lavdisë, etj., është ajo që shkrimtarët bashkëkohorë, e sidomos ata shqiptarë, parapëlqejnë të bëjnë me veprat e tyre.

Pa asnjë mëdyshje, emblema e kësaj hataje të madhe për letërsinë shqipe është Albatros Rexhaj.  Në çdo emision që merr pjesë, në çdo ndejë që organizohet, në çdo prononcim publik që jep, ai nuk ngurron aspak të identifikohet me shkrimtarët. “Unë, si shkrimtar...,” thotë ai. Madje, pa asnjë fije turpi, e fut veten në radhën e shkrimtarëve me të mëdhenj botërorë: “Ne, shkrimtarët....” Për më tepër—dhe kjo, shumëkujt, mund t’i duket qesharake—në biografinë e tij shkruan se “Albatros Rexhaj është përzgjedhur edhe si mashkulli i muajit në numrin e fundvitit 2012 të revistës prestigjioze ANABEL në Tiranë!”

O tempora, o mores! - do të thoshte Cicero.

Mirë-mirë, mund të thonë lexuesit, por si shumë po e sulmon Albatrosin: merru me veprën e tij po pate këllqe?

E pse të merrem? Vepra e tij është aq e pështirë, aq mizerabël sa jo vetëm që nuk meriton të lexohet, por as të kritikohet, madje. Fundja, Albatrosi nuk është nga ata shkrimtarë që jetën e vet e ka vënë në funksion të veprës, siç ndodh për shembull me shkrimtarët e mëdhenj. Përkundra, është një “shkrimtar” që tërë veprën e vet e ka vënë në funksion të personit të tij. Ndaj ka aq shumë dëshirë të jetë pjesë e shoëbizit dhe kronikave rozë.

Sigurisht, Albatrosi nuk është i vetëm në këtë ndërmarrje të përçudshme. Shumica e “shkrimtarëve” shqiptarë janë të këtillë. Mirëpo, ajo që e veçon Albatrosin nga shkrimtarë të tjerë, besoj unë, janë tri gjëra të vlefshme. Së pari, gjenialiteti i tij për të shkruar me mijëra faqe dhe për të mos thënë asgjë! Megjithatë, kjo kërkon një lloj gjenialiteti, apo jo? Së dyti, aftësia për t’u shquar në të gjitha ginitë letrare (i.e., romane, novela, poezi, drama, ditarë, etj.), gjë që nuk ka ndodhur jo vetëm me shkrimtarë shqiptarë, por as me shkrimtarë të shquar botërorë. Dhe së treti, dëshira e patjetërsueshme për ta rrjetizuar “filozofinë” dhe “letërsinë” e tij. Siç thuhet në biografinë e tij, “Një shkrimtar, dramaturg, i cili ashtu si filozofët e antikitetit që u përpoqën ta sjellin filozofinë në rrugë, përpiqet ta sjellë filozofinë në rrjet. Rrjetet sociale janë shndërruar në rrugët e lashtësisë, në sheshet ku filozofët shpalosnin idetë e tyre për debat dhe njohje masive. Filozofia e Albatrosit është një filozofi e dashurisë për njeriun, për të rigjetur forcën dhe energjitë pozitive tek secili, për të anashkaluar urrejtjen dhe frikën nga ekzistenca.”

Ja, pra, filozof, shkrimtar, poet, dramaturg, tregimtar, romancier, filozof, eseist, publicist, analist, mashkull i përzgjedhur në revista të njohura. Ky është Albatros Rexhaj.

Se ç’flasin të tjerët për të, punë e madhe! Mjafton të jetë i popullarizuar, dhe që librat e tij të blihen nëpër panaire. 

Mbase po vërtetohet ajo që Oscar Wilde, shkrimtari i mirënjohur irlandez, thoshte tek The Picture of Dorian Gray, se të jesh i popullarizuar mjafton të jesh një mediokër i përkryer.

P.S. Shkrimin më lart e kam botuar për herë të parë në vitin 2015, këtu në Express. Meqë së fundmi Albatrosi është bërë sërish temë e rëndësishme në vend, thua se vetëm për këtë kishim nevojë, e pashë të udhës ta risjell këtë shkrim në formë të modifikuar, me shpresën se lexuesi do të më mirëkuptojë.

    Data: 13 Qershor 2018 10:44
    Autori: Armend Mazreku

    Të tjera