Kthehu lart

Kush ishte historiani Zef Mirdita? (Biografia)

Kush ishte historiani Zef Mirdita? (Biografia) GazetaExpress

Sot në Zagreb ka vdekur historiani dhe akademiku i njohur, Zef Mirdita.

Ai është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare.

Zef Mirdita u lind në Prizren, më 13 mars të vitit 1936. 

Shkollën fillore e kreu në Prizren, ndërsa gjimanzik klasik, respektivisht interdioqezian, në Pazin dhe në Zagreb.

Në Fakultetin Katolik Teologjik në Zagreb, më 1958, apsolvoi Filozofinë. 

Në vitin shkollor 1959/60 u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit – Dega e Historisë.

Nga viti shkollor 1961/62 ishte demonstrator në Katedrën për Histori Kroate te prof. dr. Jaroslav Sidak. Qysh si student I vitit të tretë dhe të katërt ligjëroi lëndën e Historisë në gjimnazin e mbrëmjes “Ise Krsnjavoga” në Zagreb. Diplomoi më 8 korrik të vitit 1965.

Pas kthimit në Prizren, më 8 shkurt të vitit 1966, punoi profesor në gjimnaz, në shkollën e mesme të muzikës dhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku ligjëroi histori, sociologji, gjuhë latine dhe gjuhë frënge, në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, serbe dhe turke.

Nga 1 janari I vitit 1967 kaloi në Prishtinë si asistent në Katedrën e Historisë, Dega e Historisë Antike, dhe më 3 nëntor 1972 doktoroi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit me temën Dardanci i Dardanija u antici (Dardanët dhe Dardania në Antikë).

Më 3 prill 1991 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Nga 1 marsi i vitit 1993 ka punuar si këshilltar shkencor në Institutin Kroat të Historisë, ku ka udhëhequr projektin “Vlasi – starobalkansko stanovnistvo od povisjene pojave do danas (Vllehët – populate e vjetër ballkanike që nga fillet historike deri më sot).

Përveç dhjetë librave në shqip, shqip-gjermanisht dhe në kroatisht, botoi në gjuhën shqipe, kroate, frënge, angleze, gjermane dhe italiane, në revistat shkencore të vendit dhe të huaja, mbi 100 studime, shqyrtime dhe punime – artikuj, recensione, kritika, shënime, polemika, etj., po ashtu përktheu disa libra nga kroatishtja në shqip dhe nga shqipja në kroatisht. 

Më 16 qershor 2004, Alfred Moisiu, kryetar I Republikës së Shqipërisë e dekoroi me shpërblim për kontributin e dhënë albanologjisë dhe për përfaqësim të denjë të komunitetit shqiptar në Republikën e Kroacisë. 

Më 29 prill 2005, u laureua me shpërblimin e Akademisë Kroate të Shkencave dhe Arteve për librin “Vlasi u historiografiji” (Vllehët në historiografi), I cili u shpall libër I vitit 2004.

Më 21 dhjetor 2011, me rastin e 75 vjetorit të lindjes, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës e shpalli shkencëtar të vitit 2011.

Me rastin e përvjetorit të tetë të Pavarësisë së Kosovës, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga,  ka dekoruar atë me Medaljen Presidenciale të Meritave. /Express/

    Data: 04 Prill 2016 23:08
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera