Kthehu lart

Filmat kosovarë dëshmojnë për vlerat dhe talentin që kanë artistët nga Kosova

Filmat kosovarë dëshmojnë për vlerat dhe talentin që kanë artistët nga Kosova GazetaExpress

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim regjisoret Lendita Zeqiraj, Blerta Zeqiri dhe aktoren Aurita Agushi, protagoniste të filmave, të cilët janë kualifikuar për edicionin e 91-të të çmimeve të Akademisë – Oscar, e cila do të mbahet Los Angjelos të SHBA-së më 24 shkurt 2019.

 Blerta Zeqiri me filmin e metrazhit të gjatë “Martesa”, Lendita Zeqiraj me filmin e metrazhit të shkurtër “Gardhi” dhe Aurita Agushi, aktorja kryesore në filmin “Ajo”, janë filma të cilët Qendra Kinematografike e Kosovës i ka përkrahur financiarisht.

 Ministri Gashi u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar njëkohësisht që kreativiteti dhe produktiviteti i artistëve të Kosovës po vlerësohet ndërkombëtarisht. Kjo tregon se filmi në Kosovë tashmë ka krijuar një bazë dhe traditë të mirë për gjeneratat që vijnë pas.

 “Tre filmat të cilët janë kualifikuar për Oscars rrugëtimin deri tek ky nivel e kanë siguruar duke fituar çmime të shumta prestigjioze nëpër festivale të shumta ndërkombëtare të filmit dhe kjo tregon për cilësinë dhe vlerat artistike që kanë këto projekte”, tha ministri.

 “Pas suksesit të filmit ‘Shok’, tani vetëm sa e kemi rritur produktivitetin dhe kjo ka ardhur me rritjen e përkrahjes nga ana e ministrisë për Qendrën Kinematografike të Kosovës, gjë që e kemi paralajmëruar muaj më parë. Buxheti për QKK-në do të dyfishohet për përkrahjen e filmave”, është shprehur ministri Gashi duke thënë se Kosova posedon talente të jashtëzakonshëm si në prodhimin e filmave si dhe në realizimin e tyre.

 Ndërkaq, mysafiret e falënderuan ministrinë për përkrahjen që po jep për industrinë e filmit në Kosovë në përgjithësi. Gjithashtu, ato u treguan mirënjohëse për angazhimin e ministrit Gashi në mbështetje dhe mirëkuptim për njerëzit dhe botën e filmit.

    Data: 29 Tetor 2018 19:29
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera