Kthehu lart

Çelet Panairi i Lajpcigut, 3 çmime speciale për shkrimtarët

Çelet Panairi i Lajpcigut, 3 çmime speciale për shkrimtarët GazetaExpress

U çel dje Panairi i Lajpcigut, i cili do të qëndrojë i hapur për botuesit, shkrimtarët e lexuesit deri më 15 mars. Stenda e letrave shqipe prezantohet nga autorët Arian Leka dhe Gëzim Qendro

Rreth 2200 shtëpi botuese ekspozuan botimet e tyre në ditën e parë të Panairit të Librit në Lajpcig, i cili u çel ditën e djeshme dhe do të qëndrojë i hapur për të interesuarit e letrave deri më 15 mars.

Risi këtë vit në një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të Gjermanisë do të jetë akordimi i tri çmimeve speciale për shkrimtarët.

Organizatorët do të japin çmime në tri kategori; krijimtari artistike, jo-artistike dhe përkthim, ndërsa fituesit do të marrin shumën prej 45 mijë eurosh.

Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e mbështetur financiarisht nga Ministria e Kulturës, ka zgjedhur për përfaqësimin e stendës së letrave shqipe poetin dhe eseistin Arian Leka, si edhe kritikun e studiuesin e artit, Gëzim Qendro.

Ditën e djeshme, nga rrjeti i përkthyesve “Traduki” u organizua një panel me autorët Arian Leka dhe Uwe Rada mbi damarët mesdhetarë dhe venat ballkanike.

Poeti dhe eseisti shqiptar, Arian Leka i ka kushtuar një pjesë të madhe të veprës së tij artistike identitetit mesdhetar të Shqipërisë dhe qytetit të tij të lindjes, Durrësit. Uwe Rada, gazetar dhe autor, ka udhëtuar përgjatë bregdetit të Adriatikut në Itali, Kroaci, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Shqipëri dhe ka shkruar një histori kulturore të Adriatikut dhe të Evropës.

Kritiku dhe studiuesi i artit, Gëzim Qendro do të marrë pjesë në “Natën Ballkanike”, e cila krijon mundësinë e leximeve autoriale, debateve, bisedave e shkëmbimeve mes autorëve dhe shtëpive botuese. Nata Ballkanike është e ideuar si një shëtitje letrare dhe muzikore mes qytetesh të Evropës Juglindore. Publiku i Lajpcigut do të jetë i ftuar për të shëtitur në qytetet kryesore të vendeve të Ballkanit përmes një turi letrar mes qytetesh të Evropës Juglindore prej autorëve nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Lihtenshtejni, Maqedonia, Rumania, Serbia dhe Sllovenia, të cilët prezantojnë historitë dhe librat e tyre me vlera.

Ditën e shtunë do të organizohet një bisedë mbi kryeqytetin më të ri europian, Prishtinën, me autorët e rinj, Sasa Ilić dhe Ervina Halili.

Sasa Ilić ishte një nga autorët e parë serbë që udhëtuan në kryeqytetin e Kosovës dhe botuesi i antologjisë “Përzemërsisht nga Beogradi” nga autorë të rinj serbë, e cila u botua në gjuhën shqipe. Ervina Halili përfaqëson gjeneratën më të re të autorëve kosovarë dhe ishte në 2014, në kuadër të një programi shkëmbimi serbo-kosovar Writer in Residence, në Beograd.

Dialogu letrar serbo-kosovar do të vazhdojë edhe këtë vit në Panairin e Librit në Lajpcig.

/Mapo.al

    Data: 13 Mars 2015 11:44
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera