Rrëfimi i veprimtarit i cili e takoi Nënën Terezë


07/09/2016

Në vitin 1970, në kohën kur pak shqiptarë dinin për Nënën Terezë,
Masar Krasniqi kishte takuar humanisten shqiptare, asokohe jo gjithaq e
njohur në botë dhe pothuaj fare e panjohur në botën shqiptare.

Njohjen (së largu) me veprimtarin e zellshëm e atdhetarin e madh
Masar Krasniqi na e mundësoi para disa vjetësh Sabit Abdyli nga Kabashi i
Vitisë (profesor i gjuhës shqipe, gazetar e shkrimtar), i cili meqenëse
edhe vetë jeton në Zelandë të Re (në qytetin Auckland) që nga viti
1999, e ka njohur së afërmi Masar Krasniqin dhe ka shkruar disa herë për
të.

Gjatë një bisede telefonike me Masar Krasniqin, mësojmë hollësi të
këtij takimi që, ndonëse kishte ndodhur në vitin e largët 1970, ruhej
shumë i freskët në kujtesën e tij, madje zoti Krasniqi e kujtonte atë
ngjarje sikur të kishte ndodhur pak muaj përpara dhe jo para pothuaj
gjysmë shekulli.

Ja si e kujton këtë takim zoti Krasniqi:

– Ishte muaji prill i vitit 1970. Ende nuk i kisha mbushur tridhjetë e
nëntë vjet dhe kisha afro njëzet vjet që kisha ikur nga Kosova, e cila
vazhdonte të ngryste ditët e netët nën çizmen e serbit dhe që, për
mërgimtarët si unë, ishte një mollë e ndaluar. Kisha marrë vesh se Nëna
Terezë do të vinte për vizitë në Zelandë të Re, pikërisht në qytetin
Auckland, ku unë jetoja. Ajo do të vinte nga India, ku jetonte e
vepronte që nga viti 1929, kohë kur unë ende nuk kisha lindur. Kisha
shumë dëshirë ta takoja e të bisedoja me të, por duke qenë se ajo ishte
një vizitë protokollare, ishte paksa e vështirë të realizohej ai takim.
Për fatin tim, e njihja peshkopin e Katedrales së Shën Jozefit në
Auckland, James Michael Liston, me të cilin isha takuar si i ftuar i tij
gjatë pritjes që kishte organizuar për kardinalin e Hungarisë dhe për
kardinalin e Ukrainës.

Iu drejtova peshkopit Liston, i cili më premtoi një takim me Nënën
Terezë pas konferencës për shtyp, që ajo do të mbante në mbarim të
vizitës së saj. “Do të jetë një takim vetëm 15 minuta” – më tha
peshkopi.

E njoftova komunitetin shqiptar, në krye të të cilit isha. Ishim pak
atëherë, ishim një grusht shqiptarësh në Auckland. U thashë se takimi do
të ishte fare i shkurtër dhe ua bëra me dije që, shkaku i kohës së
kufizuar, vetëm unë do të flisja me Nënën Terezë.

Ditën e takimit morëm një tufë të madhe me lule dhe shkuam në katedralen ku do të mbahej konferenca e shtypit.

Sapo përfundoi konferencën për shtyp, iu afrova Nënës Terezë, ia
dhashë lulet dhe i thashë: – Mirë se na erdhe Nana Terezë në Zelandë të
Re!

– “O, biri im, – ma ktheu ajo – a edhe këtu paski mbrri a, në fund të
botës?… Sa mirë – tha – po e flitke shqipen… Unë 39 vjet s’kam pasë
mundësi me ke me folë shqip.”

Domethënë, shqip keni folur? – e pyesim zotin Krasniqi.

Gjatë gjithë kohës kemi folur vetëm shqip. Nëna Terezë e fliste shumë
mirë shqipen. Shqipja e saj ishte një gegnishte e pastër, të cilën ajo e
kishte ruajtur, si të thuash, e kishte konservuar që nga fëmijëria.

Çfarë biseduat gjatë asaj kohe të shkurtër? – e pyesim bashkëbiseduesin.

Ndonëse shkurt, folëm për shumëçka. I fola për situatën në Kosovë,
për shtypjen e egër që ushtronte regjimi titist ndaj shqiptarëve…

Më dukej sikur po flisja me nënën time, prandaj nuk e lashë pa i
thënë: – Ti që ke mundësi me u takue me mbretën e me kryetarë shtetesh e
me ministra të punëve të jashtme, mund ta bash nji punë të mirë për
Kosovën, po edhe për Shqipninë, ku po ashtu sundon nji diktaturë e egër
dhe ku feja asht e ndalueme me ligj…

-“E di, – tha – e di. Unë i kam nanën e nji motër atje dhe kam 
tentue me shkue me i vizitue dhe s’më kanë dhanë leje… Nji vlla me
familje e kam në Palermo…”

Të lutem Nanë – i thashë – po mujte me ba diçka, do t’ishte nji nder i madh për kombin prej teje…

-“Biri im – tha – lutjuni Zotit për mue e për bijat e mija… Edhe unë
çdo mëngjes lutem për Kosovën.” E preku me dorë sarin që kishte veshur
në trup dhe tha: “Veshja ime…” – dhe, ndonëse nuk e përfundoi, u
vetëkuptua: ishte veshja e saj që nuk e lejonte të bënte hapur atë që ne
kishim dëshirë. Ajo kishte filluar të bëhej Nënë e krejt botës dhe jo
vetëm e shqiptarëve që ishin të gjakut të saj.

Pastaj u nisëm shkallëve teposhtë. Ajo shoqërohej nga disa murgesha
të Indisë dhe nga dy murgesha zelandeze. Gjatë gjithë kohës sa zbritnim
shkallët, ajo nuk ma lëshonte dorën. Pasi u përshëndetëm si nënë e bir,
ajo hipi në veturë. Në fytyrë i shihej dëshira e madhe që kishte që ai
takim të zgjaste sa më shumë…

Sapo u largua vetura me Nënën Tereze, m’u vërsulën gazetarët, duke më
pyetur në ç’gjuhë kishim biseduar. U thashë se kishim biseduar shqip
dhe, po ashtu, u thashë se ajo kishte lindur jo fort larg qytetit nga
vija unë, nga Prishtina.

Gjatë gjithë këtyre viteve kam takuar shumë personalitete të
rëndësishme politike, pothuaj në të gjitha kontinentet – thotë zoti
Krasniqi –  dhe të gjitha këto takime kanë pasur një të vetëm qëllim:
sensibilizimin e çështjes shqiptare në Ballkan,në veçanti sensibilizimin
e çështjes së Kosovës, Megjithatë, takimi im i parë me Nënën Terezë ka
qenë disi i veçantë, një takim i zhveshur nga çdolloj protokolli,
thjesht një takim nënë e bir.

Ajo ka punuar shumë, ajo ka sakrifikuar shumë për t’i ndihmuar
nevojtarët, jo vetëm në Indi. Megjithatë popullin e vet nuk e ka harruar
kurrë. Kontributi i saj për popullin e vet ka qenë i heshtur, por s’ka
reshtur kurrë. Duhet të kalojë kohë, duhet të kalojnë vite që të
kuptohet se ç’ka bërë Nëna jonë e Madhe për popullin me të cilin e lidh
gjaku – përfundon rrëfimin e tij për këtë takim, zoti Masar Krasniqi, i
cili ka takuar Nënën Terezë edhe disa herë të tjera, si me rastin e
vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II më 25 prill 1993 e të tjera.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart