Qani Mehmedi në intervistë me poetin e njohur Mirko Gashi, në vitin 1984


19/07/2017

Sigurisht që keni dëgjuar shumë për poetin bohem të Prishtinës, Mirko Gashin, por intervistë të tij nuk keni lexuar.

E sjellim një intervistë të Gashit të realizuar nga gazetari Qani Mehmedi, në vitin tashmë të largët 1984 dhe e cila ishte botuar te gazeta e atëhershme “Zëri i Rinisë”.

Si mendon, çka punon e çka mendon njëri ndër poetët më bohemik në qarqet tona letrare?

Edhe lexuesi më i rëndomtë i gazetave dhe i revistave tona mund ta ketë hetuar fare lehtë se poeti Mirko Gashi rrallë, tepër rrallë, jep intervista. Për më shumë se 20 vjet krijimtari, ai nuk i ka bërë as dy-tri biseda për gazetë. Mbase, prandaj është e nevojshme që të kalohet qoftë edhe shkarazi nëpër biografinë e tij. Banon diku në skaj të Prishtinës, në nja dy dhoma përdhese, plot lagështi, në një hapësirë ku ladrojnë minjtë më të mëdhenj se maca, në “Morava 11” rrugë kjo e njerëzve me shumë halle. Është i kënaqur, sic shprehet vetë, me bashkëshorten e fundit, Sevdijen, e cila ka mirëkuptim të plotë ndaj personalitetit dhe përkushtimeve të këtij poeti si dhe me fëmijët e tij Zorën, Antonion dhe me Lumin e vogël, ndaj të cilëve duket se ushqen dashuri të madhe.

Fëmijëria e poetit Mirko Gashit, e cila shpesh është prezente edhe ne poezinë e tij, fillon diku në Preshevë. Atje nis të mendojë e të preokupohet edhe për çështje që ndoshta moshanikëve të tij kurrë nuk u kanë rënë ndërmend. Djalë i bashkëshortëve të përzier, shkollën fillore e të mesme e vijon në gjuhën serbokroate, por dashurinë ndaj gjuhës atnore ia nxit nëna, që, sic shprehet vetë, vazhdimisht i thoshte: “Biro, ti je shqiptar, mësoje gjuhën e babit tënd!”. Kjo këshillë e nënës qe bërë për Mirkon e ri obsesion. Në moshën 17 vjeçare, nën përkujdesjen e Rizah Bicajt dhe të Rexhep Elmazit, fillon ta mësojë shqipen për të arritur aty ku ka arritur: të krijojë poezi në këtë gjuhë.

Është i madh vargu i vendeve të punës nëpër të cilat ka kaluar Mirko Gashi. Arsimtar, gazetar i “Flakës së vëllazërimit”, aktor profesional në Teatrin e Kombësive në Shkup, gazetar i Radio-Prishtinës (7 vjet), redaktor i gazetës “Kosova” të Obiliqit (3vjet), gazetar-përkthyes në gazetën “Kosovodërvo” (7 vjet)dhe tash, më në fund, prej 7.10.1983, pensionit, artisti i lirë, siç thotë ai… Ata që i përcjellin rrjedhat e poezisë sone e dinë se Mirko Gashi ka filluar të botojë poezi në vitin 1995, por përmbledhjen e parë “Në vorbullën e ujit” e botoi në vitin 1972, “Netët e bardha” në vitin 1975, ndërkaq “Gjarpërin e shtëpisë” në vitin 1980. I janë përkthyer shumë poezi në vendin tonë dhe jashtë (frëngjisht, anglisht, rumanisht, arabisht, etj). Është i përfaqësuar në të gjitha antologjitë e poezisë sonë.

Në fillim na thatë se nuk jepni intervista. Pse?

Le të flasin vargjet. S’jam unë as Fadil Vokrri e as Sabri Fejzullahu. Ata janë për faqe të para të gazetave. Kjo është hera e dytë që jap intervistë. Më kanë lutur, por s’doja të flisja…

Kur shikoni pas, çka i thoni vetvetes?

Mbi të gjitha e çmoj lirinë. Jetoj ashtu siç dëshiroj… Dëshirat nuk i kam të mëdha për jetë luksoze, por mundësitë i kam tepër të vogla për të jetuar si njeri i rëndomtë. Qe 22 vjet bredh nëpër lagje të ndryshme të Prishtinës, pa kulm timin mbi kokë. Më në fund këto ditë pres vendimin për banesë nga BVI-ja Krahinore për Kulturë. (Sabit Jakupin, të lutem mos e harro se i jam falënderues për tërë jetën! Ai me disa shokë të tjerë që m’i dinë fort mirë hallet kanë bërë përpjekje të mëdha që, më në fund, të sigurohet një banesë shoqërore për Mirko Gashin). Jam i kënaqur me tre fëmijët e mi dhe, më në fund, e gjeta edhe bashkudhëtaren e mirëfilltë e cila më kupton dhe më respekton të këtillë sic jam – Mirko Gashi! Shumë gjëra i humba në jetë për shkak të poezisë. Kam mundur të bëhem “dikush” por kam mbetur “një poet i shkretë” rrugëve të Prishtinës, kafeneve, 22 vjet pa kulm mbi kokë. Pra, poezia shumëçka më mori e pak gjë më dha. Të merresh me poezi është punë tejet e vështirë. Vjen koha që fjalët ta kërkojnë kokën tënde. (Nëse dikush ia fal jetën poezisë, ai duhet të jetojë me fjalët, e fjala e ka masën, dimensionin, huqet e veta). S’është poet ai i cili nuk e jep edhe jetën për fjalët e veta. Është shumë vështirë, por kështu është. Jam tejet i sinqertë në këtë bindjen time. Pra, tepër e vështirë është loja me fjalë, nëse i kupton fjalët siç duhet. Të thashë, s’dëshiroj të bisedoj për gazetë, por pasi është e të rinjve, nejse…

Çka është poezia, çka mendon për të?

Begatia jonë në poezi është ajo që kemi mjaft individualitete poetike. Të gjithë përbëjnë koloritin aq të duhur të letërsisë shqipe. Poezia jonë është motive, eminente dhe e përmasave ndërkombëtare. Këtë e kam vërejtur edhe prej kontakteve të mia me letrarë të vendeve të ndryshme… Kur e pyeta një të ri një ditë se ku po shkon, m’u përgjigj se shkon në shtëpinë e tij për të shkruar poezi! U çudita. Unë qe shtatë-tetë vjet mendoj për ta trajtuar në poezi motivin e “lulediellit” mirëpo ende s’mund të shkruaj asgjë…

E poezia e të rinjve?

Një 115 emra të letërsisë sonë i kam përkthyer në gjuhën serbokroate, në gazeta e revista, plus 35 vepra letrare. E kam një vërejtje tek të rinjtë, mirë është që e shfrytëzojnë traditën, por më duket se nuk po gjurmojnë sa duhet. Le ta dinë se shumë motive të jetës sonë bashkëkohore, por edhe të thesarit tonë popullor, janë ende të patrajtuara.

Thatë diçka mbi atë se si duhet shkruar poezia. A keni të shtoni edhe diçka?

Se si krijohet poezia, varet edhe prej atij që e shkruan, por edhe prej frymëzimit. Unë nuk mund të shkruaj poezi të papërjetuar. E bart idenë si nëna fëmijën me vite të tëra deria vjen momenti për ta nxjerr në dritë. Më në fund, tash jam letrar i lirë, kam më shumë kohë për frymëzim e meditim, prandaj besoj se lexuesit mund të presin prej meje dicka më të rëndësishme jo vetëm në poezi, por edhe në gjininë e dramës. Megjithëkëtë, edhe tash e tutje do të paraqitem rrallë (do të përpiqem) e për mall.

Fjala jetë është shumë prezentë në poezinë tënde. Cka është jeta për ty?

Unë vetëm e përshkruaj jetën. Ashtu siç është e vrazhdë, e hidhur, shumë më pak e hareshme. Ne poezinë time i këndoj hidhësisë sepse më shumë e kam përjetuar atë. Duke i kënduar dëshiroj që sidomos të rinjtë, mos ta përjetojnë kurrë.

Cila nga hidhësitë e jetës të preokuptojnë më shumë?

Më së shumti jeta edhe vdekja, veset dhe vyrtyet, shqetësimi dhe trishtimi… shpeshherë nuk ndodh ashtu siç thuhet: hudhe farën në det e do të gjesh dikur e diku… Kam përjetuar shumë por përsëri jam i lumtur sepse tre fëmijët e mia janë të rrugë të drejtë. Dinë të çmojnë edhe jetën edhe lirinë, edhe krijimtarinë…

A jeni i kënaqur nga kritika letrare?

Janë do ushtarë të mirë në kritikën tonë letrare, por kritikë ata nuk mund të bëhen kurrë. U mungon etika krijuese, ndërkaq, kemi disa teorikë të kritikës, estet e kritikë të shkencës, siç është, bie fjala, Rexhep Qosja me dinjitet, etikë të lartë shkencore e me individualitet plotësisht të formuar. Në kritikën tonë letrare janë disa që premtojnë por tash për tash edhe veprat e tyre e edhe mundësitë krijuese janë të atilla sa, të thuash, se premtojnë.

Çka kujtoni më me dëshirë në jetë?

Fëmijërinë time të varfër. Kur me një rrogë të babait mësues ne fëmijët e tij jetonin dhe shkolloheshim, sic thuhet, me bukë e kripë…

Cka ju shtyn të pini?

Të përgjigjem me pyetje: Të banosh 22 vjet nëpër bodrume të huaja, t’i përkthesh 35 vepra, t’i kishe botuar mbi 10 mijë vargje, ta kishe një rrogë të vogël tash si pensionist në këtë moshën time, por edhe shumë probleme intime jetësore, shumë moskuptime… cka do të gejshe tjetër ti pos t’i kaloje do çaste të lumtura me gotën e rakisë në buzë?!… (Të lutem, mos harro të thuash fjalë të mira për Sabit Jakupin, i cili po ma zgjidh problemin më të madh ekzistencial). C’është e vërteta, hallet e mia i kanë kuptuar edhe kolegët e mi poetë, por çka kanë mundur të më ndihmojnë?

Çka ju bën të lumtur?

Tash në moshën 44 vjeçare kam edhe një djalë – Lumin. Ai po ma shton jetën. Ai është gëzimi im, pasuria më e madhe që mund të ketë njeriu. Në të tretën martesë kam gjetur edhe gruan, bashkudhëtaren time të jetës, e cila më do e më kupton.

Po e përmendni shpesh gruan. Cka mendon për gruan në përgjithësi?

E kishin pyetur Muhamedin: a është gruaja myslimane? I duhet myslimanit – i ishte përgjigjur. E kishin përsëritur pyetjen duke menduar se nuk e ka kuptuar… Kishte dhënë po të njëjtën përgjigje. Edhe për të tretën herë e kishin pyetur: A është gruaja myslimane? I duhet myslimanit – ishte përgjigjur.

E për burrin?

Ka trima dhe budallenj…

Për fund?

Kam folur ashtu siç ndjej. Edhe nëse diku nuk ia kam qëlluar – s’prish punë… E madhe është kjo dritë që del nga këto poça kur e di se është fryt i djersës së xehetarit. I njoh xehetarët mirë, kam jetuar gjatë në mesin e tyre. A e ke lexuar atë vargun e poezisë së Ymër Shkrelit në përmbledhjen “Febris”: Mbi varrin tim mos mbani fjalime? Këta ia kam përsëritur poetit unë aq shpesh. Shkova se më pret Lumi…

A dëshironi të autorizoni tekstin e kësaj bisede?

Më ke ofenduar. Cka kam ta autorizoj unë. E kreva punën time.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart