Arrestohet efektivi i policisë dhe vëllai i tij, kishte kokainë në shtëpi


Gazeta Express
10 Tetor 2019 11:00

Policia jep versionin zyrtar të ngjarjes së ndodhur në Kavajë orët e para të mëngjesit të sotëm. 31-vjeçari Bledar Toçi, i cili mbante detyrën e shefit të Sigurisë së Brendshme pranë burgut të Durrësit ka shkuar i pari tek shtëpia e të dashurës së tij,

Më pas ka mbërritur edhe Dritan Haxholli, 41-vjeç i cili për motive xhelozie ka qëlluar me armë shefin e sigurisë së burgut. Për t’u vetëmbrojtur, Toçi ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar 41-vjeçarin duke e lënë të vdekur në vend.

Pas marrjes së mjekimit në spitalin e Traumës në Tiranë, Policia ka arrestuar efektivin 31-vjeçar për ngjarjen e ndodhur. Prangave të policisë nuk i ka shpëtuar as vëllai i tij 27-vjeçari me iniciale B.T., pasi kishte në banesë 7 doza kokainë. 

NJOFTIMI I PLOTË:

Kavajë

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor në lidhje me zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në lagjen nr. 2, në Kavajë, ku pas një konflikti në banesën e shtetases M. Q., mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi D. H. dhe i plagosur shtetasi B. T., nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:  

B. T., 31 vjeç, banues në lagjen nr. 2, në Kavajë, me detyrë Shef i Sigurisë së Brendshme pranë burgut të Durrësit. Shtetasi B.T., pasi është konfliktuar me shtetasin D. H., ky i fundit për motive xhelozie ka qëlluar me armë duke e plagosur shtetasin B. T. Në kushtet e vetëmbrojtjes shtetasi B. T. ka qëlluar për vdekje me armë zjarri tip pistolete shtetasin D. H.( i dënuar më parë për krime kundër personit dhe për lëndë narkotike). Arrestimi i shtetasit B.T., për veprën penale “Vrasja me dashje”.

B. T., 27 vjeç, lindur e banues në lagjen nr. 2, në Kavajë ( vëllai i shtetasit B.T.), pasi gjatë kontrollit të banesës së shtetasit B. T. në lagjen nr. 2, në Kavajë iu gjetën dhe u sekuestruan me cilesinë e provës materiale një sasi e dyshuar lendë kokaine e ndarë në 7 doza që i përkisnin 27-vjeçarit. Arrestimi i tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale do të dërgohen në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme

Te fundit


Kthehu lart