Arrestohen juristët mashtrues në Tiranë, gruaja dhe i riu merrnin lekë për licencën e mësimdhënies


Gazeta Express
5 Prill 2019 9:55

Një grua dhe një djalë u arrestua nga Policia e Tiranës në kuadër të një operacioni të koduar “Juristët e rremë”.

Të dy, prezantoheshin si juristë të një institucioni të rëndësishëm kushtetues shqiptar dhe premtonin në këmbim të lekëve, dhënie lejeje zhvillimore e licencë, për ushtrim të aktivitetit të mësimdhënies.

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, arrestuan M. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, e dënuar më parë për veprën penale të “Mashtrimit’ dhe një djalë 24-vjeçar me inicialet N.Sh, banues në Tiranë. Ata u arrestuan në flagrancë nga policia në momentin që do takoheshin me d persona të mashtruar për t’i marrë lekët.

Ata kanë mashtruar dy persona duke iu kërkuar një shumë të konsiderueshme lekësh, me qëllim që t’i siguronin leje zhvillimore e licencë për ushtrimin e aktivitetit të mësimdhënies në një komunitet fetar.

Policia thotë përmes një njoftimi zyrtar, se gjatë momentit të arrestimit, ata kanë bërë rezistencë dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Veprat penale që rëndojnë ndaj tyre janë “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Përvetësimi i titujve apo i detyrës shtetërore”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet; dy aparate celularë dhe dokumente të ndryshme.

Te fundit


Kthehu lart