Arrestimi i qytetarit nga tre policë në sy të fëmijëve – Inspektorati tregon për Express çfarë ka ndërmarrë - Gazeta Express
string(105) "arrestimi-i-qytetarit-nga-tre-police-ne-sy-te-femijeve-inspektorati-tregon-per-express-cfare-ka-ndermarre"

Liridonë Çeta

14/09/2020 16:23

Arrestimi i qytetarit nga tre policë në sy të fëmijëve – Inspektorati tregon për Express çfarë ka ndërmarrë

Liridonë Çeta

14/09/2020 16:23

Mbrëmjen e 12 shtatorit, Inspektorati Policor i Kosovës ka pranuar një ankesë se disa zyrtarë policorë kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke përdorur forcën për arrestimin e një qytetari në kryeqytet. Arsyeja e arrestimit ishte mosmbajtja e maskës nga qytetari. Pas publikimit të pamjeve gjatë arrestimit të qytetarit, të shumta kanë qenë komentet kundër Policisë së Kosovës, ku kritikohej dhuana ndaj qytetarit.  Madje, B.S. tha se u keqtrajtua nga policët edhe pasi u çua në stacion policor. Nga IPK kanë thënë për Express se janë duke u kryer të gjitha hetimet e nevojshme rreth rastit

Vendosja e maskës, si masë mbrojtëse nga COVID-19, është bërë obligative nga Qeveria e Kosovës, që nga data 13 korrik.

Lexo Edhe:

Të gjithë qytetarët të cilët derisa janë në hapësira publike nuk kanë të vendosur maskën, dënohen me gjobë.

Por, të shumta janë rastet kur policia po përplaset me qytetarët gjatë shqiptimit të gjobave.

Një rast i tillë ndodhi në kryeqytet mbrëmjen e së shtunës. Një qytetar u arrestua në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, pasi nuk kishte vendosur maskën. Por, arrestimi i tij bëri bujë të madhe.

Video gjatë arrestimit të qytetarit me inicialet B.S. u shpërnda me të madhe.

Kritika të mëdha shkuan drejt zyrtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët në video shihen duke e keqtrajtuar qytetarin.

Versioni i policisë për këtë rast ishte se B.S. nuk ka përfillur urdhrat e policëve dhe i ka ofenduar ata.

Nga policia thanë se ishin të detyruar ta përdornin forcën, pasi i dyshuari kishte shfaqur sjellje arrogante, e po ashtu kishte ngritur dorën në drejtim të zyrtarëve policorë.

‘’Rreth orës 21:30 njësia policore gjatë realizimit të detyrave dhe kompetencave ligjore, konkretisht gjatë patrullimit në sheshin “Nënë Tereza” ka hasur në personin e dyshuar me inicialet (B. S; 1988) i cili ka qenë pa maskë. Të njëjtit ju është tërhequr vërejtja disa herë, por nuk ka përfillur urdhrat e zyrtareve policor, kur atij iu është kërkuar dokumenti i identifikimit nga zyrtaret dhe ka kuptuar se po i shënohet fletëparaqitje sipas ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë, ai ka filluar të përdorë shprehje ofenduese dhe kërcënuese, duke shfaqur po ashtu sjellje arrogante kundrejt zyrtarëve policor, dhe në një moment ai ka ngritur dorën në drejtim të zyrtarëve policor ku të njëjtit janë detyruar të përdorin forcën e domosdoshme, proporcionale duarthatë për ta venë nën kontroll të dyshuarin.’’, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

B.S. u ankua se policët e keqtrajtuan edhe pasi e dërguan në stacion policor.

Lidhur me krejt këtë ngjarje, hetime po kryen Inspektorati Policor i Kosovës.

Në një përgjigje për Express, nga IPK kanë thënë se rasti momentalisht është në fazën e hetimit.

“IPK aktualisht për këtë incident është në fazën e hetimit paraprak në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në përgjigjen e IPK’së.

IPK ka deklaruar se në koordinim me prokurorin, janë siguruar edhe video-incizimet të kamerave të sigurisë në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë.

“Në vazhdën e veprimeve hetimore, hetuesit e Departamentit të Hetimeve pranë IPK-së kanë ndërmarrë një mori veprimesh hetimore në bazë të mandatit ligjor dhe në koordinim me prokurorin kompetent, duke përfshirë sigurimin e video-incizimeve të kamerave të sigurisë në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, marrjen e deklaratës së ankuesit, sigurimin e shkresave të lëndës e cila posedon edhe deklarimet e  zyrtarëve policor lidhur me këtë incident”, kanë thënë nga IPK për Express.

Ndërkohë, B.S. i cili ishte dërguar në mbajtje për 48 orë, është liruar të dielën, ende pa i bërë 24 orë nga arrestimi./Express/