Armend Dallku, golashënuesi më i mirë nga Superliga e Kosovës në garat evropiane


Valon Konushevci
28 Qershor 2019 14:35

Prejse iu bashkua FC Prishtinës në verën e vitit 2016, ku u transferuar nga Vorskla e Poltavës nga Ukraina, Armend Dallku është bërë kapiten dhe lider i pa kontestuar i FC Prishtinës. Ish futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë vlerësohet si njëri prej futbollistëve më të mirë në Kosovë tash e tri vjet, madje njëjtë vlerësohet edhe tani kur e ka arritur një moshë prej 36-vjeç, raporton Gazeta Express.

Mbrojtësi i famshëm vushtrrias, përpos që i ka krijuar siguri jashtëzakonisht të madhe portës së Prishtinës, ai i jep puls edhe sulmit.

Në kampionatin kosovar, dihet: Gjithnjë lider numër 1 i FC Prishtinës. Por, ai tashmë është numër 1 i bardh e kaltërve edhe në garat evropiane, ku FC Prishtina po merr pjesë qe tri vjet në kompetecionin e Europa Leagues.

Ndonëse është qendërmbrojtës, Dallku është bërë golashënuesi më i mirë i bardhekaltërve në Evropë. Me golin që e realizoi nga penalltia të enjten në barazimin e Prishtinës me St Josephs (1:1), Dallku është bërë golashënuesi më i mirë i klubit të madh kosovar në Evropë. Gazeta Express raporton se ai e arriti shifrën e katër golave të shënuar.

Dallku i kishte shënuar edhe dy gola në vitin e kaluar në fitoren prej 5:0 të FC Prishtinës kundër Europa FC. Ndërkohë, ishte i saktë edhe në penalltitë, përmes të cilëve prishtinasit ishin eliminuar nga Fola.

Pas tij vjen nga radhët e FC Prishtinës vjen Meriton Korenica, me dy gola të shënuar.

Mirëpo, katër gola, sa i ka shënuar Dallku, nuk ka arritur t’i shënojë asnjë futbollist tjetër i klubeve kosovare që kanë marrë deri më tani pjesë në garat evropiane të UEFA-s.

Kryesia e FC Prishtinës ka bërë blerje të futbollistëve të shtrenjtë viteve të fundit. Por, asnjëri nga ta as nuk ka rezultuar as për së afërmi si transferim i suksesshëm siç ka rezultuar Dallku.

Armend Dallku edhe në sezonin e ri, që nis në gusht në IPKO Superligë, do të jetë shpresa dhe arma më e fortë e FC Prishtinës në luftën për titull të kampionit. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart