Armend Dallku, forca e FC Prishtinës - Gazeta Express
string(35) "armend-dallku-forca-e-fc-prishtines"

Valon Konushevci

18/02/2020 12:30

Armend Dallku, forca e FC Prishtinës

Valon Konushevci

18/02/2020 12:30

Atë që nuk arriti ta bëjë si futbollist, Armend Dallku po bën përpjekje ta arrijë tani si trajner. 36-vjeçari gjatë tri viteve të kaluara ishte kapiten i bardhekaltërve te të cilët ishte transferuar prej Vorskla Poltavës, ku kishte luajtur shumë vite dhe ishte bërë kapiten i ekipit ukrainas, shkruan Gazeta Express.

Ish kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë përkundër moshës së shtyrë ishte bërë ndër futbollistët më të dalluar në IPKO Superligë dhe lojtar kyç i FC Prishtinës, me të cilën doli tri herë në Europa League, por nuk arriti ta fitojë titullin, të cilin trofe Prishtinës nuk ia solli as njëri prej trajnerëve më të dalluar shqiptar, Mirel Josa.

Lexo Edhe:

Pas ndarjes me Josën, klubi bardh e kaltër angazhoi Bylbyl Sokolin, me të cilin u nda shpejt. Në atë situatë të jashtëzakonshme drejtuesit e klubit postin e trajnerit ia besuan Armend Dallkut që vendosi të pensionohet nga futbolli aktiv.

Kështu, vushtrriasi u bë trajneri më i ri për nga mosha që e mori drejtimin e skuadrës më të madhe në vend. Dhe, gjithçka po i shkon perfekt. Në 17 ndeshje nën drejtimin e Dallkut FC Prishtina i ka arritur dymbëdhjetë fitore e tri barazime krahas vetëm dy humbjeve.

Ai i ka kaluar shtatë ndeshjet e fundit pa pësuar humbje. Skuadra e tij ka arritur në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, ndërsa po e kërkon titullin e kampionit të cilin nuk e ka fituar gati qe 7 vjet. Në këtë luftë Dallku dhe Prishtina po përballen me Ballkanin, i cili kryeson në Ipko Superligë me vetëm tri pikë më shumë, 37. Kurse, Drita është e dyta me 34 pikë, sa ka edhe Prishtina e Dallkut. Kurse, ndiqet nga Gjilani që i ka 32 pikë.

“Padyshim se jam i kënaqur me gjithë këtë ecuri dhe punë që po e bëjmë. Kjo ecuri pozitive nuk është e Dallkut. Suksesi nuk ka se si të mungojë kur jemi në një linjë kryesi e klubit – trajnerë – futbollistë. Pra, kjo është rruga që e kemi zgjedhur drejt suksesit të përbashkët”, thotë Dallku për Gazetën Express.

Ai tha se klubi është riorganizuar dhe po bëhet punë e madhe në të gjitha ekipet në mënyrë të koordinuar.

“E kemi një ekip shumë të mirë. E kemi komponuar një skuadër me lojtarë që kanë përvojë dhe me të rinj. Po bëhet punë jashtëzakonisht e mirë në gjithë klubin. U kemi dhënë shpresë e motiv lojtarëve tanë të rinj që nga shkolla e deri te juniorët. Gjithandej po punohet mirë dhe në koordinim të plotë. Shpresoj dhe besoj se do të vazhdojmë”, u shpreh ai.

Dallku shpreson që të bëhet trajneri i parë që e sjell titullin në kryeqytet pas gati 7 vitesh.

“Atmosfera në skuadër është jashtëzakonisht e mirë. Futbollistët meritojnë komplimente për krejt atë që po e bëjnë për skuadrën dhe për punën e tyre shumë profesionale. Po ashtu bashkëpuntorët trajnerë. Kështu që besojmë se titulli pas disa vitesh do të kthehet në Prishtinë sivjet. Kemi respekt për konkurrentët, si për liderin Ballkanin, pastaj Dritën e Gjilanin që kanë bërë investime dhe përforcime të mëdha. Sigurisht se me këto ekipe do të ballafaqohemi deri në fund. Por, ne do ta shikojmë vetëm punën tonë. Pavarësisht se kë e kemi kundërshtarë, ne do ta marrim kampionatin ndeshje pas ndeshje me seriozitetin më të madh”, deklaroi ai.

Dallku para se ta marrte ekipin e parë të FC Prishtinës fillimisht punoi si trajner shkurtimisht te ekipi i juniorëve. /GazetaExpress/