Kthehu lart

Nesër hapet ekspozita e artistit Esat Valla

GazetaExpress

Në Galerinë Kombëtare të Kosovës, në orën 19:00 do të hapet ekspozita e artistit Esat Valla e kuruar nga Zeni Ballazhi. Eskpozita do të qëndorjë e hapur deri më 24 janar 2014.

Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli gjatë një konference për medie, tha se është nder që fundi i vitit në GKK të përmbyllet me retrospektivën e artistit Esat Valla.

Ekspozita do të përfshijë punime nga viti 1964 kur artisti Valla ishte nxënës i Shkollës së Mesme të Artit në Pejë e deri te punimet e fundit të vitit 2013. Ekspozita përfshin gjithsej 60 punime nga mediumi i pikturës në letër dhe pëlhurë por edhe vizatime të ndryshme të artistit. Retrospektiva po ashtu tregon cikle nga tradita e popullit shqiptar dhe trajtime të ndryshme surreale dhe abstrakte, duke përfshirë edhe punime të cilat nuk janë ekspozuar më herët për publik.

Kuratori i ekspozitës Zeni Ballazhi tha se punën e profesorit Esat Valla e ka njohur prej kohësh dhe krijimtaria e tij zë vend në historinë e artit në Kosovë. Ballazhi tha se është munduar të bëjë një përzgjedhje të punimeve të Esat Vallës ashtu sipas cikleve apo periudhave të ndryshme në të cilat ka rrugëtuar artisti., thuhet në një komunikatë për medie.

Esat Valla: "Gjenerali i ushtrisë së vdekur"

Këtu përfshihen punime nga shkolla e mesme, koha e studimeve e deri në ditët e sotme. Përmes krijimtarisë së tij, artisti na dërgon në një rrugëtimi nëpër një realitet të cilin ai e ka jetuar.

Ndërsa, artisti Esat Valla u shpreh i kënaqur me përzgjedhjen e punimeve për këtë ekspozitë e cila përfshin një periudhë krijimtarie prej 49 vitesh. Valla foli për periudhat e paraqitura në këtë retrospektivë si cikli i nudove të figuracionit gjatë studimeve dhe pas studimeve si dhe cikli në mars të vitit 1981 në kohën e demonstratave në Kosovë të cilat e thyen qetësinë personale të tij. Gjatë kësaj kohe artisti krijoj ciklin e quajtur "Fluturat", si një metaforë e të rinjve të sakrifikuar. Gjatë viteve të 90-ta gjatë dhunës së madhe artisti punoi ciklin "Demat". Cikli i fundit i krijimtarisë së artistit përmbledhë elemente nga etnografia shqiptare si dritaret apo dollapët.

Artisti Esat Valla u lind në Gjakovë, më 22 prill 1944. Shkollën fillore e kreu në Gjakovë, ndërsa në vitin 1965 e mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1971 u diplomua në Fakultetin e Arteve në Beograd, drejtimin e pikturës te profesor Zoran Petroviq. Në vitin 1981, tek i njëjti profesor i mbaroi studimet pasuniversitare në Fakultetin e Arteve Figurative në Beograd. Prej vitit 1976 punon në Fakultetin e Arteve, ku e mban klasën e pikturës dhe të studimeve pasdiplomike me titullin profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës.

Esat Valla: "Shqiponja"

Veprat e tij kanë si pikë referimi eksperiencën e vetë artistit, atë profesionale dhe atë jetësore, duke denoncuar pashterrshmërinë e imazheve, ndjeshmërinë dhe risinë e tyre, raportin midis të shkuarës dhe të tashmes, referimet simbolike, të cilat në kontekstin e tyre më të plotë përmbajnë shenjën që mbart ky artist. Imazhet e kultivuara të Esat Vallës, gjysmë figurative dhe gjysmë abstrakte, mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë tepër individuale dhe ku ndjeshmëria tonale kthehet plotësisht në vlerë surreale.

Është pjesëmarrës i shumë ekspozitave kolektive si dhe personale me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Veprat e tij gjenden në disa galeri, muze dhe shumë koleksione private. /KultPlus.com

    Data: 17 Dhjetor 2013 22:00
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera