Kthehu lart

Anketë: Turistët nga Kosova nuk do ta vizitonin bregdetin shqiptar, nëse aty shkatërrohen armët kimike siriane

GazetaExpress

Kosovarët janë tërësisht kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane në Republikën e Shqipërisë.

Ky qëndrim është artikuluar në mënyra të ndryshme në Prishtinë, qoftë edhe përmes protestave në rrugë, por edhe në rrjetet sociale.

Gazeta Express ka zhvilluar një anketë specifike rreth kësaj teme, duke pyetur kosovarët si turistë të bregdetit shqiptar. Pyetja ka qenë “A do të jetë për ju Shqipëria destinacion turistik, nëse aty asgjësohen armët kimike të Sirisë?”, dhe rezultati i anketës nuk lë shumë hapësirë për diskutim.

Jo, kanë thënë 1398 lexues ose 79 për qind.

Po, kanë thënë 368 lexues ose 21 për qind.

Anketa është mbyllur në ora 11:13 të ditës së sotshme, e mërkurë, 13 nëntor 2013.

Në Shqipëri po zhvillohet një debat i madh rreth mundësisë së shkatërrimit të armëve kimike siriane në territorin shqiptar. Gjithçka nisi kur opinioni mësoi për një telefonatë mes Sekretarit amerikan të Shtetit dhe Kryeministrit Rama. Gjatë kësaj telefonate, kryediplomati amerikan kishte kërkuar që Shqipëria që të lejojë shkatërrimin e armëve kimike në territorin e saj. Duket se Qeveria ende nuk ka marrë vendim për këtë, por shumëkush në Tiranë frikohet se kërkesa amerikane do të pranohet.

    Data: 13 Nentor 2013 11:58
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera