Argumenti kryesor i Gjykatës: Ekipi negociator ndërhyri në punën e institucioneve


Gazeta Express
27 Qershor 2019 14:50

Gjykata Kushtetuese ka shpallur ekipin negociator antikushtetues. Si argument kryesor i Gjykatës, ekipi negociator thuhet se ndërhyri në punën e institucioneve.

Gjykata Kushtetuese ka shpallur sot aktgjykim lidhur me kërkesën për vlerësimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, shkruan Gazeta Express.

Kjo kërkesë në Kushtetuese u bë nga ana e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj dhe tridhjetë deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese te delegacioni shtetëror, i krijuar me ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit.

Më tej, Gjykata thotë se delegacionit shtetëror i jepen funksione që nuk i përputhen me dispozitat kushtetuese.

“Më tej, Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese te “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i vesh delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese”, thotë aktgjykimi i Kushtetueses.

“Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”, vazhdon argumenti i Gjykatës Kushtetuese për kushtetueshmërinë e ligjit dhe delegacionit.

Gjykata, po ashtu, konstatoi se me normat kushtetuese në mënyrë shprehimore është paraparë obligimi përkitazi me ushtrimin e kompetencave kushtetuese në sferën e politikës së jashtme për institucionet kompetente dhe se kompetenca për të dialoguar me një shtet të tretë, nuk mund të bartet tek delegacioni shtetëror si “mekanizëm i posaçëm” përmes një akti më të ulët juridik, siç është Ligji i kontestuar.

Më tutje, Gjykata konstatoi se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i obliguar ta mbikëqyrë politikën e jashtme në kuadër të kompetencave kushtetuese të parapara sipas paragrafit 12 të nenit 65 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu theksoi se paragrafi 1, i nenit 93 të Kushtetutës i përcakton kompetencat e Qeverisë në “propozimin dhe zbatimin e politikës së brendshme dhe të jashtme të vendit”, përderisa paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94, përcaktojnë se Kryeministri, si i pari i Qeverisë, “Përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë”, si dhe “Këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit”.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Kjo kompetencë është e përcaktuar me Kushtetutë dhe nënkupton, para së gjithash, që çdo negocim apo veprim tjetër që ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në emër të Republikës së Kosovës, duhet të jetë brenda detyrimeve kushtetuese që kanë institucionet e Republikës së Kosovës. Gjykata, po ashtu, konkludoi se kompetenca për arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk mund të bartet ose transferohet nga institucionet kushtetuese në një “mekanizëm të posaçëm“, siç parashihet me Ligjin e kontestuar.

Gjykata në fund njëzëri vendosi që, nenet 1 (paragrafi 1), 2, 4, 10 (paragrafi 4, nën-paragrafët 1 dhe 2), dhe neni 11 (paragrafi 3) të Ligjit nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, nuk janë në pajtueshmëri me paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafin 12 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit], paragrafin 1, të nenit 93 [Kompetencat e Qeverisë], dhe paragrafët 1 dhe 9 të nenit 94 [Kompetencat e Kryeministrit] të Kushtetutës, dhe se rrjedhimisht Ligji i kontestuar, në tërësinë e tij, është i papajtueshëm me Kushtetutën.

Kjo kërkesë për vlerësim u parashtruar nga Avdullah Hoti, Glauk Konjufca, Vjosa Osmani-Sadriu, Albulena Haxhiu, Ismet Beqiri, Saranda Bogujevci, Lumir Abdixhiku, Arberie Nagavci, Armend Zernaj, Arber Rexhaj, Doruntina Maloku, Ali Lajc;i, Arben Gashi, Drita Millaku, Hykmete Bajrami, Xhelal Svec;la, Lutfi Zharku, Ismajl Kurteshi, Besa Gaxheri, Fitore Pacolli, Arban Abrashi, Shemsi Syla, Lirije Kajtazi, Valon Ramadani, Kujtim Shala, Salih Zyba, Haxhi Avdyli, Liburn Aliu, Mirjeta Kalludra, Albin Kurti, Driton Selmanaj dhe Anton Quni në Gjykatën Kushtetuese, është bërë në seancën shqyrtuese të mbajtur më 13 qershor 2019. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart