Arben Gashi sqaron deklaratën e nënkryetarit të LDK-së për Avdullah Hotin - Gazeta Express
string(72) "arben-gashi-sqaron-deklaraten-e-nenkryetarit-te-ldkse-per-avdullah-hotin"

Arben Gashi sqaron deklaratën e nënkryetarit të LDK-së për Avdullah Hotin

Gazeta Express

02/06/2020 11:33

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur para mediave sot për deklaratën e nënkryetarit të kësaj partie, Lutfi Haziri, që dje e pati për Avdullah Hotin, kandidat për kryeministër, raporton Gazeta Express.

Haziri dje ka deklaruar se nuk do të donte të ishte në lëkurën e Avdullah Hotit, derisa ka shtuar se problemin më të madh ai do ta ketë me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Lexo Edhe:

“Me thanë të drejtën, nuk do të doja me pa askënd në lëkurën e Avdullah Hotit, do të jetë kryeministër i radhës, duke besuar në kapacitetet e tij profesionale sidomos në ekonomi, besoj shumë që përballja e efekteve të pandemisë në ekonomi janë sfida më e randë, ndërsa, sfidën në dialog nuk e ka me Grenellin po me presidentin Thaçi”, ka thënë dje Haziri.

Për këtë deklaratë të nënkryetarit të LDK-së, ka folur sot para mediave Arben Gashi, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike.

Gashi ka thënë se Haziri ka folur për procesin nëpër të cilin do të kalojë kjo qeveri, e shton se pajtohen se i propozuari për kryeministër nuk do ta ketë të lehtë.

“Jo jo, z. Haziri si një politikan me përvojë të gjatë, si një njeri që ka marrë pjesë në të gjitha proceset biseduese dhe negociuese të Kosovës e kupton seriozisht rëndësinë e të qenit në qeveri, unë deklaratën e z. Haziri e kuptoj si një solidaritet dhe dhembshuri për procesin që do të ndodhë gjatë kësaj qeverisje, që nuk do ta ketë të lehtë, pajtohemi të gjithë”, ka thënë Gashi sot para mediave. /GazetaExpress/