Arabia Saudite po e blen heshtjen e fëmijëve të Khashoggit duke u dhënë prona milionëshe dhe 40 mijë dollarë në muaj


Gazeta Express
2 Prill 2019 22:19

Arabia Saudite po i paguan fëmijët e gazetarit Jamal Khashoggit për 40.000 dollarë në muaj dhe u ka dhënë prona me vlerë prej 16 milionë dollarëve, në mënyrë që ta blejë heshtjen e tyre.

Fëmijët e gazetarit të vrarë Jamal Khashoggi, kanë marrë shtëpi miltimilionë dollarëshe dhe po paguhen mijëra dollarë në muaj nga Arabia Saudite.

Katër fëmijët, dy djem dhe dy vajza, kanë marrë shtëpi në qytetin Jeddah, me vlerë 4 milionë dollarë për secilin fëmijë.

Ata gjithashtu po marrin nga një pagë prej 10.000 dollarë në muaj nga shteti Saudit.

Pagesat mësohet se po bëhen në mënyrë që ata të mos flasin dhe të mos akuzojnë Arabinë Saudite, në mënyrë që kësaj të fundit të mos i shkatërrohet reputacioni, raporton Washington Post, transmeton Gazeta Express.

Shtëpitë gjenden në qytetin Jeddah, ku prona më e madhe i është dhënë djalit të madh, Salah Khashoggi, i cili në fakt është i vetmi fëmijë i tij që banon në Arabinë Saudite.

Por Arabia Saudite ka refuzuar pretendimet se ajo po paguan “para të gjakut” duke ia blerë qetësinë familjes së gazetarit të vrarë.

Khashoggi, që ishte një kolumnist në Washington Post dhe një kritik i familjes mbretërore të Arabisë Saudite, u vra brenda konsullatës saudite në Stamboll.

Arabia Saudite në fillim i mohoi akuzat për vrasjen e gazetarit, por më vonë i fajësoi agjentët e saj duke i quajtur mashtrues.

Arabia Saudite mban të arrestuar 11 persona, identiteti i të cilëve nuk dihet dhe mbahet sekret nga shteti, derisa ata janë në pritje të gjyqit kundër tyre.

Një mikrofon i vendosur nga shteti turk, në konsullatën saudite, regjistroi tërë bisedën e fundit të gazetarit, kur ndër të tjera sipas raporteve ai është dëgjuar duke thënë: Nuk mund të marr frymë. Vuaj nga astma, mos e bëni këtë.

Vrasja e gazetarit ka nxitur reagime të mëdha të shteteve më të fuqishme të botës duke e akuzuar Arabinë Saudite për mënyrën se si i trajton gazetarët.

Te fundit


Kthehu lart