Arabia Saudite arreston 13 persona të dyshuar për planifikim sulmesh terroriste


Gazeta Express
22 Prill 2019 20:22

Autoritetet në Arabinë Saudite arrestuan 13 “terroristë” të dyshuar, një ditë pas sulmit në një bazë të shërbimeve të sigurisë në veri të kryeqytetit Riad.

Agjencia Saudite e Shtypit, duke cituar një zëdhënës të sigurisë së shtetit, tha se arrestimet janë pjesë e hetimeve për “aktivitete terroriste”.

Sipas burimit të njëjtë, të dyshuarit e arrestuar “kanë qenë duke u përgatitur për të kryer veprimtari kriminale kundër sigurisë së vendit”.

Nuk është ende e qartë se ku janë bërë arrestimet dhe nëse ato lidhen me sulmin e së dielës.

Agjencia Saudite e Shtypit tha se katër burrat që kanë sulmuar bazën e shërbimeve të sigurisë të dielën në provincën Zulfi, kanë qenë shtetas sauditë.

Të gjithë ata janë vrarë nga forcat e sigurisë, pasi kanë sulmuar ndërtesën e tyre.

Katër policë sauditë janë plagosur po ashtu.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi militant Shteti Islamik, përcjell REL.

Forcat e sigurisë në Mbretërinë saudite janë sulmuar disa herë viteve të fundit nga xhihadistët e Al-Kaidës dhe të Shtetit Islamik.

Te fundit


Kthehu lart