Apple lë pa punë mbi 300 punëtorë


Gazeta Express
28 Gusht 2019 13:41

Qindra punëtorë të kompanisë “Apple” në disa vende të Evropës, të cilët ishin punësuar për t’i kontrolluar incizimet e Siri-t për ndonjë gabim të mundshëm, i kanë humbur vendet e punës pasi kompania këtë muaj njoftoi se do ta ndërpresë programin.

Më shumë se 300 punëtorëve nuk u është vazhduar kontrata në Cork, sipas të dhënave të ish-punëtorëve. Besohet se qindra të tjerë janë përjashtuar nga puna në shtete të tjera të Evropës.

Stafi ka qenë në pushim me pagesë nga 2 gushti, pikërisht dita kur Apple njoftoi për ndërprerjen e programit. Zyrtarët e saj e arsyetuan këtë veprim me rishikimin e tërësishëm të tij.

Punëtorët e angazhuar përmes firmave të ndryshme kontraktuese u dërguan në shtëpi javën e kaluar dhe atyre u thanë se puna për ta ka mbaruar për shkak të problemeve teknike.

Punëtorët e larguar nga puna janë shprehur të zemëruar për vendimin e paparalajmëruar të kompanisë.

“Apple ka rekrutuar punëtorë përmes kompanive blerëse në Irlandë dhe nuk merr kurrfarë përgjegjësie për këtë proces dhe trajtimin e tyre në punë”, tha një person i larguar nga puna, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart