Apologji për ‘Sllobodnjakët’


Gazeta Express
24 Shtator 2019 17:27

Oliver Ivanoviçi nuk ishte i pari. As Nenad Rashiqi s’do ishte i fundit. Ky është targi i sovranitetit që mbrohet vetëm me floska sapuni, qoftë ato edhe kur të duken si murret e Kinës. Janë gënjeshtra demagogësh që sovranitetin nuk e jetojnë por vetëm e shfrytëzojnë për të vjedhur sa më shumë. Kjo gjeneratë s’mbron sovranitet dot. E më hiç qytetarin Nenad Rashiq dhe „Sllobodën“ e tij nga Beogradi apo qarqet antisovrane të Prishtinës

Xhemal AHMETI

Të jesh shtet donë të thotë të kesh sovranitet. Çështja e vijave kufitare është njëri nga segmentet e këtij sovraniteti. Ndër segmentet më të rëndësishme që përmban ky sovranitet është mirëpo jeta, mirëqenia, mbrojtja, siguria e atyre që popullojnë atë sovranitet. Sa është në gjendje të mbrojë Republika e Kosovës këtë segment kapital sovraniteti? Me fuqitë e veta, me siguri, më minimalisht se çdo vend fqinj i saj. Ajo e ka një ushtri që ende s’guxon të thirret ashtu gjithandej dhe, dhe një polici të fortë, mirëpo e cila mund të intervenoj vetëm kur i lejohet: kur ndodhë krimi! Kur është vonë. Atëherë kur mjekët duke pirë birra u bëjnë autopsinë në QKUK vikimave, atje në atë monstrën ahippokratike të qeverive deri sot.  

Është kjo arsyeja pse heshtin të gjithë kur kërcënohen përbërësit e sovranisë së shtetit të tyre? Ushtria e dobët dhe policia që reagon vetëm pas krimit? Jo! Sovraniteti i Republikës së Kosovës sigurohet nga SHBA-të, Gjermanët, Britanikët…listë kjo që s’duhet as të zgjatet edhe më.

Kush mbron qytetarët e saj kur ata kërcënohen ndryshe, në forma më subtile, në forma kriminele para ndonjë ekzekutimi eventual? Oliver Ivanoviç dhe plotë të kombësive tjera kur janë paralajmëruar edhe janë ekzekutuar. Mu në mes të rrugës. Para pragut të shtëpisë së tyre. Policia ka dalë në terren dhe ka hetuar. Heton ende. Do të hetojë përjetësisht. Dorasët gjejnë strehim jashtë sovranitetit të saj.

Do të ndodhë edhe me politikanët e koalicionit të minorenëve serb „Slloboda“ e njejta gjë? Rikthimi i së njëjtës në Ballkan, nuk është vetëm banal, pervers, por edhe i kobshëm, kriminel. Me gjasë po. Nuk reagon askush ndaj apelit publik për ndihmë që bëri Nenad Rashiq në emër të koalicionit të serbëve jofalangistë të Zyrës serbe për Kosovë. Është serb. Bart kryq si ata Popat e Moskës dhe Athosit. Një më pak? Në çdo kuptim do ishte një humbje heshturazi e dëshiruar. Spekulojmë kështu, ngase: kush reagoi? Qeveria duke i bërë nota BE-së dhe tjerëve për krimet që ushtron pushteti serb gjatë zgjedhjeve në Kosovë? U çuan liderët kosovarë, lanë inskenimet e tyre private shtëpive e xhamive, dhe thanë: do t’i mbrojmë se janë tanët qytetarë; do t’i mbrojmë se ashtu na thotë Kanuni? Jo, gjepura janë këto. Ata nuk reaguan as duke thënë se do bëjmë çmos që të mbrojmë sovranitetin tonë saherë të kërcënohet një qytetar i saj, pavarësisht në është ai serb, rom, turk apo shqiptar. I fundit shumicë nuk e bënë këtë. Ngase kot çarravitet kur thotë të dijë se ç’është kanuni, mileti, ç’është sovraniteti e shteti? Po. Ngase kot ulurijnë për tjerët që nuk janë brenda rrethit të fisit të tyre të vogël, arkaik, patriarkal e deri në asht injorant. Oliver Ivanoviçi nuk ishte i pari. As Nenad Rashiqi s’do ishte i fundit. Ky është targi i sovranitetit që mbrohet vetëm me floska sapuni, qoftë ato edhe kur të duken si murret e Kinës. Janë gënjeshtra demagogësh që sovranitetin nuk e jetojnë por vetëm e shfrytëzojnë për të vjedhur sa më shumë. Kjo gjeneratë s’mbron sovranitet dot. E më hiç qytetarin Nenad Rashiq dhe „Sllobodën“ e tij nga Beogradi apo qarqet antisovrane të Prishtinës.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart