Personazhe të famshëm, përfshirë vokalistin e grupit “Rolling Stones”, Mick Jagger ia kanë dalë të pengojnë planet për të ndërtuar një kullë 29-katëshe në brigjet e lumit Tamiz në Londër.
Jagger, së bashku me yllin e rokut Eric Clapton, aktoren Felicity Kendal dhe komedianin Harry Hill, luftuan për dy vjet kundër kompanisë “Rockwell Property” që planifikonte të ndërtonte një kullë 100 metra pranë Urës Battersea në jugperëndim të Londrës.
Jagger, 82 vjeç, i cili ka pasur një shtëpi në bregun verior që nga fillimi i viteve 1960, ashtu si edhe shoku i tij i grupit Keith Richards, thanë se kulla nuk kishte “kuptim” dhe ishte “krejtësisht e gabuar në çdo nivel”.

Jagger i tha gazetës “Chelsea Citizen” në mars se ai kishte “jetuar në këtë zonë për një kohë të gjatë dhe më intereson se çfarë do t’i ndodhte. Nëse kjo vazhdon, mund të çojë në ndërtimin e më shumë ndërtesave të larta… duke e ndryshuar përgjithmonë këtë pjesë të mrekullueshme të bregut të lumit Tamiz”.
Clapton, 81 vjeç, paralajmëroi se nëse planet miratoheshin, do të ishte një “leje e lirë për të gjithë zhvilluesit e tjerë të ndërtonin kulla përgjatë lumit”. Ai shtoi: “Këta zhvillues nuk u intereson fare se çfarë mendon dikush. Ata e bëjnë këtë vetëm për para.”
The Guardian shkruan se Rockwell Property fillimisht propozoi ndërtimin e një kulle 34-katëshe me 142 apartamente, e cila më vonë u reduktua në 110 apartamente, duke përfshirë 54 shtëpi të përballueshme, së bashku me parkim nëntokësor dhe një përzierje hapësirash tregtare.

Zhvilluesi argumentoi se projekti trajtonte “një nevojë urgjente për banesa të reja me cilësi të lartë” në Londër .
Këshilli i Wandsworth i hodhi poshtë planet, duke përmendur “lartësinë dhe shkallën e tepërt” të projektit, duke shtuar se ai “do të përfaqësonte një ndryshim transformues të papranueshëm dhe të papërshtatshëm brenda vendndodhjes që do të dëmtonte ndjeshëm karakterin hapësinor të të njëjtës vendndodhje”. Ai tha gjithashtu se kulla do të prishte horizontin dhe do të “shkatërronte” jetën e fqinjëve. Autoriteti i Londrës së Madhe mbështeti vendimin e këshillit.
Rockwell apeloi, por nuk sërish nuk ia doli. Pas një seance dëgjimore publike 8-ditore, inspektorja e planifikimit Joanna Gilbert tha: “Propozimi do të shkaktonte dëm në karakterin e peizazhit urban në disa pamje të identifikuara nga drejtime dhe distanca të ndryshme.”