Anulohet konkursi për mësimdhënës, VV e quan lojë të shpifur të Kryetarit të Gjilanit


Gazeta Express
18 Maj 2019 12:53

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e ka anuluar një konkurs për mësimdhënës me arsyetimin se pas përfundimit të vitit shkollor mund të ketë riorganizim të arsimtarëve dhe t’i mbrojë ata profesorë të cilët mund të mbesin pa punë (tepricë).

Arbër Jashari

Mirëpo, këtij shpjegimi nuk po i besojnë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo parti po thotë se këto veprime të Komunës tregojnë se s’ka profezionalizëm në Drejtorinë  e Arsimit. Madje, Partia e Albin Kurtit, thotë se Haziri po bën lojë të shpifur me kandidatët e mundshëm për mësimdhënës, të cilët kishin aplikuar në konkursin e hapur në fillim të marsit e anuluar në fund të prillit.

 “Më 26.04.2019, vetëm një ditë para se të fillonin mbajtjen e  intervistave me gojë, publikohet vendimi për anulim të konkursit, nënshkruar nga z.Lutfi Haziri. Ky vendim i tij paraqet tragjedinë e vërtetë…”, thuhet në deklaratën e VV’së dhënë Gazetës Express.

Komuna e Gjilanit udhëhiqet në dy mandatet e fundit nga Nënkryetari i LDK’së, Lufti Haziri. Më herët këtë komunë e ka udhëhequr PDK’ja.

Konkursi i hapur ka paraparë pranimin e 40 mësimdhënësve nëpër shkollat e mesme të ulëta, 2 edukatore në institucionet parashkollore dhe 10 mësimdhënës në shkollat e mesme të larta.

Konkursi i shpallur mund të gjendet në vegëzën më poshtë

https://kk.rks-gov.net/gjilan/category/konkurset-njoftimet/konkurset/?page=2

Të dy pushtet janë denoncuar se kanë përkrahur anëtarët e tyre për punësim nëpër pozitat publike.

Edhe Vetëvendosje po dyshon se gjithçka që ka ndodhur me konkursin për mësimdhënës lidhet me faktin se anëtarë të LDK’së, kandidatë për mësimdhënës, s’kanë treguar rezultatet të mira në testin me shkrim.

Partia që është në opozitë ka përmendur edhe emrin e një zyrtari të Partisë kryesore në pushtetin e Gjilanit si i punësuar në arsim.

“Dëshmia më e mirë për manipulimet që bëhen me konkurse publike është angazhimi i këshilltarit komunal, nga LDK-ja z. Shemsedin Elezi është i angazhuar që nga fillimi i shkurtit i këtij viti si profesor në Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”

Lëvizja Vetëvendosje akuzon kryetarin e komunës, Lutfi Hazirin se në Komisionin Përzgjedhës për rekrutimin e mësimdhënësve, kryetarja e komisionit dhe anëtari i këtij komisioni janë anëtarë edhe të LDK-së që përbën shkelje ligjore.

“Përfshirja e kryetares së komisionit, Teuta Suliqi në proces të rekrutimit është shkelje ligjore pasi që e njëjta nuk mund të jetë edhe pjesë e legjislativit (këshilltare e Kuvendit Komunal) edhe pjesë e ekzekutivit si rekrutuese e mësimdhënësve.

 “Duhet cekur se edhe anëtari tjetër i komisionit përzgjedhës, Arsim Bejtullahu, është aktivist i LDK-së dhe njeri i afërt i z. Lutfi Hazirit”.

Gazeta Express, ka kontaktuar komunën e Gjilanit për të marrë përgjigje lidhur me arsyet e anulimit të konkursit për mësimdhënës dhe akuzat tjera nga opozita në këtë komunë, gjegjësisht nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zyrtarët e komunës së Gjilanit në përgjigjen e tyre janë shprehur se arsyet e anulimit të vendimit nga Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri janë të publikuara në vendimin e anulimit të datës 26.04.2019 në Gazetën zyrtare dhe në ueb faqën e komunës së Gjilanit dhe çdo pretendim tjetër është i pasaktë. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart