Antikorrupsioni s’gjen shkelje, e gjuan topin te MZHE-ja për rastin e kryeshefit të PTK-së


Liridonë Çeta
22 Korrik 2019 15:09

Agjencia Antikorrupsion po i kërkon Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të japë një vlerësim nëse Sejdi Hoxha po mban në mënyrë ligjore pozitat: kryeshef i PTK0së dhe kryetar i PDK-së në Drenas. Mirëpo, kjo agjenci po thotë se bazuar në ligj mbajtja e këtyre dy pozitave nuk përbën konflikt interesi. Shkeljen ligjore po kërkojnë ta vlerësojë punëdhënësi i Sejdi Hoxhës që është Ministria e udhëhequr nga Valdrin Lluka

U deshën dy muaj kohë që Agjencia Kundër Korrupsionit të marrë një vendim nëse është konflikt interesi mbajtja e dy pozitave nga Sejdi Hoxha.

Hoxha është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Drenas në muajin maj, e në të njëjtën kohë ai e mban edhe pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Postës.

Antikorrupsioni ka dalë me një opinion lidhur me çështjen e Hoxhës. Aty thuhet se angazhimi i tij në pozitën e kryetarit krahas ushtrimit të funksionit publik si kryeshef ekzekutiv në Postën e Kosovës nuk është i ndaluar.

“Sejdi Hoxha, në pozitën e Kryetarit të Partise Angazhimi apo zgjedhja e zyrtarit tě lartë z. Demokratike-dega ne Drenas, krahas ushtrimit të funksionit publik si Kryeshef Ekzekutiv në Postën e Kosovës Sh. A, sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit te Interesit nuk është i ndaluar dhe nuk konsiderohet si papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik”, theksohet në vendim.

Por, Antikorrupsioni po i kërkon Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të tregojë nëse Sejdi Hoxha po i mban dy pozita kundërligjshëm.

Ndërkaq në nenin 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku precizohen “Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale” shkruan se as drejtor s’mund të jesh në një ndërmarrje publike nëse ke pozitë partiake.

Madje, aty specifikohet se pozitë të tillë s’mund ta mbajë askush nëse edhe në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë e pozitave ekzekutive e partive politike.

“Një person ka të drejtë të shërbejë si drejtor vetëm nëse… është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në pikën K të Nenit 17 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Më herët MZHE-ja kishte konstatuar se një kryeshef ekzekutiv i KEK-ut s’bën të ketë edhe funksion partiak pasi përbën shkelje ligjore. Mbi këtë parim e patën larguar nga gara Blerand Stavilecin për t’u bërë shef i KEK-ut pasi kishte pasur pozitë politike në PDK dhe në Kabinetin e Kadri Veselit. /GazetaExpress

Te fundit


Kthehu lart