Antikapitalizmi si zgjedhje kundër Republikës!


Gazeta Express
18 Maj 2019 19:46

Shkruan: Visar Berisha

Përtej dëmit që kjo klasë politike e ngecur në mësimet e politikëbërjes i ka bërë vendit, mosmëkëmbjen e sistemit politik e shoqëror duhet atribouar edhe një fakti tjetër madhor, që më tepër është struktural në përbërjen e vet se sa sporadik apo i imponuar nga jasht. Shoqëria jonë është një shoqëri  jo kompetitive, më së shumti se nuk i duron rregullat e lojës por edhe pse barazinë e sheh si pengesë për protagonizëm.

Një shoqëri jo kompetitive kërkon rrugë të shkurtër deri te suksesi individual. Produkti i saj është qartësisht antishoqëror, pasi vjen nga antidija, të cilën, nëse e përfolim përkufizimin e F. Agani mund ta quajm jo më si një mosdije pasive por ma tepër si një dije korruptive, dëmsjellëse.

E, korrupsioni sistemik si i tillë bëhet një prej kritereve të mirëqena për të  “prosperuar”. Kështu, pastaj keqformohet kapitalizmi, duke e shndërruar atë në antikapitalizëm; më i forti, më dinaku, më i paskrupullti del në krye. Shkymet gara, para saj shkymen barazia dhe shancet e barabarta.

Praktikisht, në këtë gjendje jemi sot si shoqëri! Improvizojmë me modelin arsimor të vendit duke e ndërtuar mbi hallka të qelqta, të cilat i thyejm sa herë të dojmë dhe kur të dojmë, për të prodhuar  pastaj pa mund mediokër të fushave të caktuara. E mediokër është ai i cili në thirrjen e vet nuk e kupton apo nuk njeh totalitetin. Për të cilën njohje nuk kërkohet gjenialitet por duhet vetëm punë dhe digjestim i të vërtetave që një subjekt prodhon. Por, për shkak të rregullit të fortit, mosgarës, në krye del mediokri, që nuk brengoset për të përbashktën (nuk e kupton), e  i cili krejt kohën improvizon për të sunduar.

Tutje improvizimit, është rrena mekanizmi tjetër antikompetitiv që i mëshon fort lulëzimit të ligështisë shoqërore. Sepse rrena është nëna e pa sigurisë. Sa do që në këtë shoqëri shumica nuk vuan për bukën e gojës, te ajo pasiguria për të ardhmen e Republikës tonë veç sa shkon e rritet. Kjo sepse të mashtruarit, intriga dhe servilizmi t`i hapin dyert e sigurisë në këtë vend. E, në këtë kuadër veprimesh askush nuk është i sigurt se mund të mbijetoj sepse sa do i zgjuar të jesh, e keqja është e pa fundme për ta përvetësuar të tërën.

Prishja e imazhit se kjo shoqëri mund të mbijetoj e lirë, demokratike dhe e lumtun nga puna e vet, është arritja më e madhe e atyre që e sundojnë legalisht dhe jo legalisht, me mjete politike dhe parapolitike këtë vend.  Shikoni gjigantët ekonomik se si janë gjunjëzuar pikërisht se janë udhëhequr nga premisa antikapitaliste. Ato janë shndërruar në el dorado për zhvatje sepse janë përllogaritur si “mall i askujt” e për pasojë mund t`i dhunosh pa e vrarë fare ndërgjegjën. Edhe mediokrit më ordinerë e kanë ditur se kështu nuk do të zgjatë. Po kujt i bëhet vonë për diçka që është e askujt!

Prandaj, kushdo që e don ndryshimin dhe i ha mendja se mund ta bëjë atë,  duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo Republikë më së shumti vuan sepse nuk ka pronar. Ka vjedhës, komitë e anarkistë për rreth saj e në të por jo popull që ndjehet pronar i saj. Ai apo ata që arrijnë të na vendosin në rrugën njëkahëshe, si shoqëri, për ta pranuar pronësinë mbi fatin tonë të përbashkët, që quhet Republikë, do ta kenë bekimin e së nesërmes për lavd të vetin! Unë ende besoj…

Te fundit


Kthehu lart