Anita Haradinaj e mohon shkrimin e “Bota Sot” se është rrahur nga Ramush Haradinaj dhe është dërguar në emergjencë - Gazeta Express
string(112) "anita-haradinaj-e-mohon-shkrimin-e-bota-sot-se-eshte-rrahur-nga-ramush-haradinaj-dhe-eshte-derguar-ne-emergjence"

Anita Haradinaj e mohon shkrimin e “Bota Sot” se është rrahur nga Ramush Haradinaj dhe është dërguar në emergjencë

Merita Miftari

07/10/2020 11:30

E përditshmja “Bota Sot”, duke u thirrur në burime të veta, raportoi mbrëmë se moderatorja Anita Haradinaj është sulmuar fizikisht nga burri i saj, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe sipas raportimit të gazetës, moderatorja ka përfunduar në emergjencë.

Për të kuptuar më shumë rreth situatës, Gazeta Express ka zhvilluar një bisedë telefonike me Anita Haradinajn, e cila është deklaruar rreth raportimit të gazetës “Bota Sot”.

Lexo Edhe:

Teksa flet për Gazetën Express, moderatorja Anita Haradinaj tregon se e ka lexuar raportimin e mbrëmshëm për të si dhe mohon se ish-kryeministri Haradinaj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj.

“Po e kam pa (raportimin). Së pari unë hiç s’jam në Prishtinë, jam në Durrës, e para e punës. Kështu që nuk janë të vërteta hiç, po nuk e di pse janë çu peshë”, deklaroi Anita Haradinaj për Gazetën Express.

Moderatorja Haradinaj pohon se burri i saj, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, nuk ka ushtruar asnjëherë asnjë lloj dhune ndaj saj.

“Edhe bash me ta thënë të vërtetën, prej kur jam martu unë, kurrë n’jetë s’ka ndodhë Ramushi me ushtru ndonjë lloj dhune. E s’po e di ku e kanë gjetë forcën me bë kësi thashetheme banale. Sepse roli i medias, unë jam në media, i kam 21 vjet, nuk është me bë thashetheme”, u shpreh tutje moderatorja.

E pyetur nëse ka kontaktuar me mediumin që raportoi dhunën fizike, të cilën ajo po e mohon, dhe nëse e ka ndërmend të bëjë ndonjë denoncim, Anita Haradinaj tha: “Nuk jam marrë me këtë punë hiç, për arsye se nuk m’u ka dukë as e arsyeshme, as interesante, m’u ka dukë kot”.

“Nuk është hera e parë që bëjnë (shkrime), duhet me mendu… E me ia nisë ashtu, duhet me nejtë nëpër gjykata me gënjeshtrat dhe rrenat, sidomos të “Botës Sot”, përfundoi ajo.

Lidhur me rastin, Gazeta Express ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës por ajo ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me shkrim. Edhe përkundër dërgimit të pyetjeve përmes email-it, Policia nuk ka kthyer ende përgjigje.

Përgjigje nuk ka kthyer as Prokuroria Themelore e Prishtinës. /Gazeta Express/