Anglia mund të jetë nikoqire e Botërorit 2022, pas arrestimit të Platinit


Gazeta Express
18 Qershor 2019 11:14

Mediat botërore raportojnë se Katarit mund t’i merret e drejte e organizimit të Kampionatit Botëror 2022 dhe t’i jepet Anglisë në vend të saj, pasi Michel Platini u arrestua sot në Francë për shkak të vendimit për këtë turne.

Ish-presidenti i UEFA-s, Michel Platini, është arrestuar në orët e hershme të së martës, për shkak të vendimit për t’ia dhënë Katarit të drejtën e organizimit të Kampionatit Botëror 2022, transmeton Gazeta Express.

Bastorja sportive, Coral, tani i ka dyfishuar gjasat që Anglia të bëhet nikoqire e këtij turneu, në vend në Katarit.

“Që kur u mor vendimi për Botërorin 2022, nuk ka pasur asgjë përveç polemikave rreth arsyes pse Katari është zgjedhur të jetë nikoqir i turneut. Pas zhvillimeve të fundit, gjithçka sugjeron se ka shumë mundësi që atyre t’i merret e drejta e organizimit të këtij turneu”, ka thënë përfaqësuesi i Coral, John Hill.

“Nëse kërkohet një nikoqir i ri, atëherë Anglia besohet se do të jetë ndër favoritet pasi që është ndër vendet e vetme që mund ta organizojë këtë turne për një kohë të shkurtër, për shkak të infrastrukturës dhe transportit”.

Katarit i ishte dhënë e drejta për ta organizuar Botërorin në dhjetor të vitit 2010, por kishte disa akuza dhe u konsiderua si një vendim kontrovers në atë kohë.

63 vjeçari ishte zgjedhur president i UEFA-s në vitin 2007 dhe e mbajti këtë pozitë deri në vitin 2015, kur ishte përjashtuar nga Komisioni i Etikës i FIFA-s për një seri dyshimesh.

Platini njihet si njeriu që e kishte lënë pezull për një kohë të gjatë çështjen e pranimit të Kosovës në UEFA. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart