Amerika thotë se veprimet e saj ushtarake i frenuan sulmet e mundshme iraniane


Gazeta Express
21 Maj 2019 22:46

Sekretari në detyrë i Mbrojtjes, Pat Shanahan tha se hapat e marrë për të përforcuar praninë ushtarake në Lindjen e Mesme kanë frenuar Iranin dhe “zmbrapsur mundësinë për sulme ndaj amerikanëve”, megjithëse Irani ka ndërmarrë sulme të tjera.

“Nuk do të thotë se kërcënimet që kishin identifikuar më parë janë zhdukur. Përgjigjia jonë e kujdesshme, mendoj se u dha iranianëve kohë të ndryshojnë llogaritë”, u tha ai gazetarëve në Pentagon të martën.

“Ne folëm për ato kërcënime dhe u ndërmorën sulme”, tha zoti Shanahan.

I pyetur përt të sqaruar se për çfarë sulmesh bëhet fjalë, zëdhënësi i Pentagonit Lt. Col. Joe Buccino i tha Zërit të Amerikës se zbulimi amerikan mendon se ka shumë gjasa që Irani ishte përgjegjës për sulmin ndaj katër cisternave të naftës në Gjirin Persik.

Sekretari dhe zyrtarë të tjerë të lartë informuan anëtarë të Kongresit në një seancë me dyer të mbyllura të martën për kërcënimin që paraqet Irani në Lindjen e Mesme.

Zoti Shanahan, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, shefi i shtabit të përgjithshëm, gjeneral Joseph Dunford dhe një zyrtar i zbulimit që nuk është identifikuar folën me ligjvënësit, pas ditësh dyshimesh të shprehura nga zyrtarë amerikanë sipas së cilëve Irani ishte përgjegjës për sulmet e javës së kaluar kundër dy stacioneve saudite të naftës dhe një sabotazh më herët në katër cisterna nafte.

Senatori Lindsey Graham tha të hënën se pasi ishte informuar nga këshilltari për siguri kombëtare, John Bolton, “është e qartë se gjatë javëve të fundit, Iran ka sulmuar naftësjellës dhe anije të vendeve të tjera dhe ka krijuar situata kërcënuese kundër interesave amerikane në Irak”.

“Faji është i iranianëve, jo Shteteve të Bashkuara ose ndonjë vendi tjetër. Nëse kërcënimet iraniane kundër personelit dhe interesave amerikane, bëhen aktive, ne duhet të ndërmarrim një përgjigje të fuqishme ushtarake. Zoti President, mos u lëkundni”, shkruante ai në Twitter.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif sugjeroi të hënën që Presidenti amerikan Donald Trump “të provojë respektin” në vend që të bëjë kërcënime.

Ai po reagonte ndaj një postimi të preisdentit Trump në Twitter të dielën, ku ai thoshte: “Nëse Irani do të luftojë, ky do të ishte fundi zyrtar i Iranit. Kurrë më mos i kërcënoni Shtetet e Bashkuara!”

Zoti Zarif tha se Presidenti Trump, nën presionin e një grupi që përfshin Këshilltarin e Sigurosë Kombëtare, John Bolton dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu po shpreson të realizojë “atë që kanë dështuar ta bëjnë agresorë të tjerë”.

“Iranianët kanë qëndruar krenarë për mijëra vjet, ndërsa agresorët kanë ikur. Terrorizmi ekonomik dhe frikësimet me genocide nuk do ta zhdukin Iranin”, shkruante zoti Zarif.

Javën e kaluar, zoti Trump u duk se bëri një hap pas nga qëndrimi i ashpër ndaj Iranit, duke thënë se do të ishte i hapur ndaj bisedimeve.

I pyetur nga një gazetar në Shtëpinë e Bardhë të enjten nëse Shtetet e Bashkuara do të hynin në luftë me Iranin, zoti Trump u përgjigj “Shpresoj që jo”.

Por nuk ka pasur ndonjë rënie të dukshme të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre rajonalë nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër.

Te fundit


Kthehu lart