Ambasadorja e SHBA: Sistemi ishte kapur nga ata që rrinë në hije! Shkrirja e gjykatave tregoi pse duhej reforma në drejtësi


Gazeta Express
22 Korrik 2019 20:31

Në 3 vjetorin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve në Tiranë Leyla Moses- Ones, u shpreh se shkrirja e gjykatave në Shqipëri, tregoi fare qartë se përse nevojitej reforma në sektorin gjyqësor.

Moses i është referuar dhe momenteve kur palët politike u dakordësuan dhe e votuan draftin e ndryshimeve kushtetuese unanimisht dhe shtoi se sistemi i drejtësisë ishte i kapur nga “ata që rrinë në hije”.

“Votimi filloi pas mesnate në 22 korrik dhe ishte unanim. Të gjithë votuan për këtë votim historik. Ky votim tregon se çfarë mund të bëjnë politikanët kur punojnë për të mirën e vendit.

Tani, një numër i madh – mbi 15 për qind – i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve.”-tha Moses.

Sipas saj “Poli i Drejtësisë” do të jetë simbol i suksesit të reformës në drejtësi.

“Tre vjet më pas kemi një këshill të lartë të prokurorisë dhe gjyqësor dhe po punojnë për të ripërtërirë gjykatën e lartë dhe krijimin e SPAK-ut. Kjo ndërtesë do të i japë KLP-së, KLGJ-së dhe Magjistraturës një shtëpi të re dhe moderne. Do të shohë një Shqipëri më SPAK-un dhe BKH për të çliruar shqiptarët nga krimi dhe korrupsioni. SHBA ka qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime, ne qëndruam krah Shqipërisë dhe po qëndrojmë krah Shqipërisë. Ne po qëndrojmë krah Shqipërisë teksa po ngrihet SPAK-u. Jeni të sigurt, ne do të vijojmë që të qëndrojmë krah Shqipërisë” tha ajo.

Fjala e Leyla Moses-Ones:

Ministre Gjonaj, të ftuar të nderuar, është kënaqësi të jem sot këtu për të shënuar tre vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi dhe për të përuruar këtë godinë që do të strehojë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Shkollën e Magjistraturës. 

21 korriku i 2016 filloi me pritshmëritë e një votimi mëngjesi në Kuvend për reformat kushtetuese. Këto reforma kishin qenë në lëvizje për pothuajse dy vjet. Pas negociatave që zgjatën gjatë gjithë ditës, PD miratoi draftin. Kryetari i atëhershëm i Kuvendit Meta falënderoi zotin Basha dhe zotin Rama dhe i vlerësoi për pjekurinë e tyre gjatë negociatave dhe tha se drafti ishte gati për t’u miratuar. 

Votimi filloi pas mesnatës më 22 korrik. Ishte unanim – të gjithë votuan për të bërë këto ndryshime historike. Ky votim tregon se çfarë mund të bëjnë udhëheqësit e Shqipërisë kur punojnë së bashku për të mirën e përbashkët. Prej orës 1 të mëngjesit, Shqipëria kishte një të ardhme të re, sepse politikanët shqiptarë kishin vizionin për të luftuar së bashku korrupsionin dhe për të ecur përpara drejt realizimit të ëndrrave të pranimit në BE.

Kjo ishte tre vjet më parë. Shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë.

Shqipëria miratoi ligje për zbatimin e Kushtetutës dhe më pas krijoi një Komision dhe një Kolegj Apelimi për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingun). Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara krijuan Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Ky model i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka qenë themeli për pjesën tjetër të reformave që duhet të ndodhin.

Tani, një numër i madh – mbi 15 për qind – i gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rivlerësuar. Disa kanë kaluar rivlerësimin dhe shumë kanë dështuar. Kjo përfshin gjyqtarët në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Disa thonë se ky është një problem, por ne besojmë se kjo tregon që rivlerësimi po funksionon dhe nënvizon se pse reforma në drejtësi ishte e nevojshme: Sistemi i vjetër i drejtësisë ishte kapur shumë kohë më parë. Ishte i kapur nga korrupsioni dhe nga ata që veprojnë në hije për të mbajtur Shqipërinë prapa. Reforma në drejtësi e theu atë kapje të paligjshme të sistemit të drejtësisë dhe po ia kthen atë njerëzve. 

Tre vjet pas atij votimi në mesnatë, tani kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë dhe një Këshill të Lartë Gjyqësor. Ata përbëhen nga gjyqtarë, prokurorë dhe anëtarët jogjyqtarë dhe joprokurorë. Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për të përtërirë Gjykatën e Lartë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka qenë duke punuar për gurin e çmuar të kurorës së reformave: krijimin e SPAK-ut. Të dy Këshillat janë të ngarkuar me ndërtimin e një sistemi efektiv qeverisjeje për të përmirësuar efikasitetin, për të shtuar llogaridhënien dhe për të rikthyer besimin e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë. Ne qëndrojmë përpara një ndërtese të re që së shpejti do t’i japë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës një shtëpi të re e moderne.

Kjo godinë së shpejti do të shohë një Shqipëri me gjyqtarë dhe prokurorë të aftë dhe me etikë. Do të shohë një Shqipëri me SPAK-un dhe BKH-në që bëjnë pjesën e tyre për ta çliruar këtë vend nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Ndërsa shqiptarët do ta shohin këtë ndërtesë si një simbol të suksesit të reformës në drejtësi. Prokurorët e rinj që betohen sot do të shohin ndryshime të mëdha në Shqipëri përgjatë jetës së tyre. 

Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Shqipërisë dhe i kanë nxitur këto ndryshime të mëdha. Ne qëndruam krah Shqipërisë kur reformat u miratuan njëzëri tre vjet më parë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë kur filloi rivlerësimi dhe ndërsa ka pastruar sistemin e drejtësisë. Ne kemi qëndruar krah Shqipërisë gjatë krijimit të Këshillave të Gjyqësorit dhe të Prokurorisë. Ne jemi duke qëndruar krah Shqipërisë ndërsa po ngrihet SPAK-u. Jini të sigurtë, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Shqipërisë ndërsa Reforma në Drejtësi i jep një formë të re të ardhmes tuaj. Faleminderit shumë për këtë mundësi!”/Express

Te fundit


Kthehu lart