Ambasadori Vllahiu në rolin e kryeministrit të Kosovës në Pragë


Gazeta Express
12 Shtator 2019 14:37

Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk ka udhëtuar sot për në Pragë të marrë pjesë në takimin e Grupit të Vishegradit të organizuar e drejtuar nga Republika e Çekisë, shkruan Gazeta Express.

Arsyetimi i kreut të AAK-së për mospjesëmarrje në këtë organizim në Pragë, ka qenë angazhimi për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor.

“Kosova ka hyrë në një cikël të zgjedhjeve të parakohshme dhe angazhimet në këtë kohë të rëndësishme për vendin, kanë pamundësuar pjesëmarrjen time në punimet e Samitit të V4 dhe WB6, nën kryesimin e Republikës së Çekisë”, kishte thënë Haradinaj në arsyetimin e tij.

Mirëpo, Haradinajn po e zëvendëson ambasadori i Republikës së Kosovës në Pragë, Arbër Vllahiu.

Kjo është parë në një fotografi të publikuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në profilin e tij zyrtar, raporton Gazeta Express.

Vllahiu, gjithashtu, sot është takuar me ambasadorin e SHBA-së në Pragë, Stepehn B. King, nga i cili ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Një takim i tillë ka ardhur në një kohë kur nga presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, po bëhen deklarata kundër pavarësisë së Kosovës.

Zeman ka paralajmëruar se do të marrë iniciativë për të shqyrtuar tërheqjen e njohjes për Kosovën, megjithatë Qeveria e Çekisë ka qëndrim plotësisht të kundërt me Zemanin. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart