Ambasadori rus në Beograd u rri hazër deklaratave të amerikanëve për Kosovën, i reagon senatorit Johnson


Gazeta Express
13 Shtator 2019 16:34

Para pak ditësh në Prishtinë e Beograd kanë qëndruar dy senatorët amerikan, Ron Johnson dhe Chris Murhphy, të cilët kanë dhënë mesazhet e tyre për finalen e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.

Murphy në fjalën e tij kishte paralajmëruar se për të arritur deri tek finalja do të duhet të bëhen zgjidhje të vështira, duke bërë thirrje që dy palët të bëjnë sakrificë.

E për një finale e cila s’do të mund t’iu pëlqejë as Kosovës e as Serbisë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur sot edhe senatori Ron Johnson.

Ai ka thënë që në mes të dy shteteve mund të arrihet një marrëveshje e cila s’do të jetë e mirë për asnjërën palë, shkruan Gazeta Express.

“Kjo është e domosdoshme për të bindur popullin e Kosovës dhe të Serbisë, sepse ajo mund të jetë një marrëveshje të cilën ata mund të mos e pëlqejnë, pikërisht si Marrëveshja e Prespës. Qytetarët e Greqisë dhe asaj që sot është Maqedonia e Veriut nuk ishin të kënaqur me të. U desh guxim politik për ta arritur atë marrëveshje. Besoj se të dyja këto vende, pas jo shumë muajsh do ta kujtojnë këtë dhe do të thonë: përse e bëmë aq të madhe? Pse u grindëm aq shumë?”, ka deklaruar Johnson për Zërin e Amerikës.

Ndërkohë ndaj këtyre deklarimeve të senatorit Johnson ka reaguar menjëherë ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Bocan-Harchenko, duke thënë se ‘ka kaluar koha kur amerikanët i kanë treguar dikujt se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe”.

“Është befasuese që ende ka njerëz, madje edhe prej atyre me ndikim, si senatori amerikan, Ron Johnson, të cilët e dijnë shumë më mirë se si jetojnë kombe të tëra. Koha kur ata u kanë shpjeguar popujve se çfarë ishte e mirë për ta, çfarë ishte e keqe e çfarë e papranueshme, ka kaluar shumë kohë më parë”, ka shkruar në reagimin e tij në twitter Bocan-Harchenko.

Vizita e dy senatorëve amerikanë kishte ardhur menjëherë pas vendimit të Sekretarit Amerikan, Mike Pompeo, për të emëruar, Matthew Palmer, si Përfaqësues Special të SHBA’së për Ballkanin Perëndimor.

Palmer ditë më parë ka qëndruar për një vizitë në Podgoricë, nga ku kishte thënë se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është e mundshme.

Ndërkohë Palmer pritet që të vij për vizitë edhe në Kosovë. Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Express, Ambasada e SHBA’së në Prishtinë. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart