Ambasada gjermane lëshoi 38 mijë viza në vitin 2018, kaq do t’i japë edhe sivjet


Gazeta Express
5 Prill 2019 16:25

Në funksion të idesë për liberalizimin e vizave Kryeministri Ramush Haradinaj po tenton t’i bindë ambasadat se numri i kosovarëve që po largohet nga vendi për të kërkuar azil është në rënie duke thënë se vetëm 3515 persona kanë bërë kërkesa për migrim. Me këtë shefi i Qeverisë po mundohet ta mohojë edhe largimin masiv të qytetarëve nga Kosova. Por, të dhënat që jep ambasada gjermane për Gazetën Express bëjnë me dije se vetëm vitin e kaluar janë lëshuar 38 mija viza, ndërkohë që pak a shumë presin këtë shifër edhe për vitin 2019.

Arbër Jashari

Njëzet vjet pas luftës, statistikat ndërkombëtare akoma e pozicionojnë Kosovën si të parën me largimin e popullsisë nga vendi. Gazeta britanike The Guardian ka publikuar një raport ku thuhet se vetëm për dekadën e fundit, Kosovën e kanë braktisur 15.4 për qind e popullsisë.

Mirëpo, diçka të tillë ka mohuar kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se këto shifra nuk janë reale.

Madje ai ka zgjedhur një takim me ambasadorin gjerman, Christan Heldt, për të treguar statistikat, sipas tij, reale.

Haradinaj fajëson mediat se po japin shifra të pasakta dhe sipas tij për një vit ka pasur vetëm 3515 kërkesa për migrim. 

“Në disa media po jepen të dhëna të pasakta lidhur me migrimin e popullsisë së Kosovës, kryesisht të rinjve tanë. Statistikat e fundit reale të migrimit, tregojnë se Kosova nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 3515 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018, krahasuar me vitin 2015, kur kishin e migruar 67.545 persona. Ndërsa, në vitin 2018, janë rikthyer vullnetarisht 727 qytetarë të Kosovës. Kjo tregon qartë rënie të lartë të migrimit dhe se qytetarët e Kosovës respektojnë parimet bazë të lëvizjes së lirë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Shifra alarmante të migrimit vijnë nga ambasada e shtetit mik të Kosovës, Gjermanisë si vendi që ka kërkesat më të mëdha për pajisje me vizë nga kosovarët.

Në një përgjigje me shkrim të ambasadës gjermane për Gazetën Express thuhet se vetëm për vitin 2018 janë lëshuar 38 mijë viza gjermane, ndër to viza për punë dhe për bashkim familjar.

 “Ambasada Gjermane në Prishtinë në vitin 2018 ka lëshuar rreth 38.000 mijë viza. Këtu përfshihen vizat për qëndrime afatshkurtëra (të ashtuquajturat viza Schengen për turizëm, udhëtime afariste, etj.), sikurse edhe për qëndrime afatgjata (punësim, studime, bashkim familjar etj.). Për vitin 2019 parashihet që shifrat të sillen rreth nivelit të periudhës krahasuese me vitet paraprake”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Tutje ambasada gjermane tregon se aq shumë ka kërkesa për viza nga kosovarët, sa që i tejkalojnë kapacitetet që ka misioni diplomatik në Prishtinë.

“Ambasada Gjermane vitet e kaluara i ka shtuar dukshëm kapacitetet për përpunimin e kërkesave për viza dhe do të punësojë edhe këtë vit personel në këtë sektor. Mirëpo, kërkesa edhe më tej i tejkalon kapacitetet tona, ashtu që kohërat e pritjes janë të pashmangshme”, thuhet më tej në përgjigje.

Kjo tregon që edhe në vitin 2019 kosovarët do të provojnë migrimin, si zgjidhje për largim nga Kosova, si turistë ose edhe për të gjetur vende të punës.

Këto janë kërkesat për të shkuar në shtetin gjerman, pa llogaritur kërkesat për viza në shtetet e tjera, që po ashtu dihet se janë larta.

Megjithatë, shefi i ekzekutivit thotë se ka manipulime me shifrat e atyre që aplikojnë për viza.

“Të dhënat e pasakta, me ose pa qëllim, dhe manipulimi me shifrat e aplikimeve për viza, të cilat në shumicën e rasteve janë viza turistike, zyrtare dhe të punës, dhe vizita e bashkime familjare, për të cilat qytetarët aplikojnë njëkohësisht në disa ambasada dhe të njëjtit edhe disa herë brenda vitit, e dëmtojnë rëndë procesin e liberalizimit të vizave”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, arsyet ekonomike, llogaritet të jenë faktori kryesor i migrimit të vazhdueshëm të kosovarëve drejt shteteve evropiane. /Express/

Te fundit


Kthehu lart